Rivotimi për Dragashin, ky është numri i fletëvotimeve që ka arritur deri më tani në KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar deri më sot 137 pako të supozuara me fletëvotime, për përsëritjen e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Dragashit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se ky proces ka filluar më 29 nëntor dhe do të zgjasë më së largu deri më 13 dhjetor.

“Është duke vazhduar periudha për përsëritjen e votimit për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit, e cila ka filluar më 29 nëntor. Deri këtë të hënë, KQZ ka pranuar 137 pako të supozuara me fletëvotime. Duke u mbështetur në ligj, KQZ do të pranojë fletëvotime më së largu deri më 13 dhjetor”, ka deklaruar Elezi.

Elezi tha se të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1 mijë e 90 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *