ROMANI “NJË DASHURI DHE SHTATË FAJE” I REXHEP QOSJES

Romani “Një dashuri dhe shtatë faje” i Rexhep Qosjes, në esencë është roman postmodern dhe polifonik (shumë zërash) që flet për një dashuri të madhe dhe shtatë faje të imagjinuara ndaj personazhit Çerem Çapari.

Shkruan: Msc. BEKRI MURSELAJ

Ky roman me titullin simbolik “Një dashuri dhe shtatë faje” personifikon tipin e intelektualit të përndjekur Çerem Çaparit, që ky personazh kalon nëpër faza të ndryshme të jetës, duke qenë i përndjekur, i burgosur pa fajin e tij, vetëm pse nuk i përshtatet pushtetit. Dashuria e vetme në këtë roman është dashuria ndaj lirisë atdheut, ndërsa fajet janë të trilluara nga pushteti jugosllav. Tematika e këtij romani është e llojllojshme duke filluar me temën fetare, sociale, shoqërore, politike etj. Brenda romanit flasin personazhe të ndryshme ku herë rrëfejnë për personazhin Çerem  Çapari, dhe herë rrëfen për veten personazhi Çerem Çapari. Pra, në këtë roman rrëfimi është shumëdimensional, ngase në secilën temë që rrëfehet gjithmonë flitet për intelektualin Çerem Çapari, për veprimtarinë e tij të “kundërligjshme” sipas organeve të shtetit. “Një dashuri dhe shtatë faje” pasqyron tipin e intelektualit shqiptar nëpër kohë, me theks të veçantë dashurinë ndaj atdheut në vitet ’80 e andej. Pra, intelektuali në këtë roman është intelektual i formuar në pikëpamje të së vërtetës, por i pa dëshiruar në sytë e pushtetit. Intelektuali në këtë roman është intelektual i përmasave kombëtare, që nuk përkulet para askujt. Pra, intelektuali në këtë rast vepron në bazë të mendimeve dhe gjykimeve të tij, duke mos u thyer para pushtetit, përndjekjeve, burgosjes. Dashuria e vetme deri në përjetësi është atdheu, Vajazani (Prishtina).

Fajet e mveshura dhe të pabëra asnjëherë janë mospërfillja ndaj fesë, sëmundjeve, “fjalës së lirë”, vdekjes së intelektualit, “dosjes së krimit”, humbjes së kujtesës qëllimisht, dhe shfaqja e mendimeve ndryshe, prej partisë së pushtetit.

Romani “Një dashuri dhe shtatë faje” pra, simbolizon intelektualin që nuk i përkulet pushtetit pavarësisht se çka përjeton ai. Këtu jepet përpjekja e intelektualit Çerem Çapari, që simbolizon një popull të vuajtur dhe të shtypur në të gjitha format e tij. Romani në fjalë, jep pamje nga më të ndryshme ku simbolizohet dramaticiteti jetësor i personazhit në fjalë. Romani fillon me kapitullin “Profeti më kishte thënë” që paraqet një rrëfim fetar që do njihet personazhi me çështjet fetare në përgjithësi dhe me çështje të fatit të jetës, për të kaluar nëpër periudha të ndryshme jetësore. Ndërsa romani mbyllet me kapitullin “Dosja kuq e zi” që ngarkohet personazhi me gjithë ato të pabëra që kërkonin t’i pranon pa dëshirën e tij. Pra, në kapitullin e parë vetëm sa njoftohet me jetën dhe të gjitha sfidat e saj, ndërsa në kapitullin e fundit i tregohet “realiteti” i përndjekjeve dhe burgosjes së tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *