Samir Hoxha: Sot 22 vite më parë me 9 qershor 1999, me Dëshmorin Haziz Tolaj…
Sot 22 vite më parë me 9 qershor 1999, ndejtëm me Dëshmorin Haziz Tolaj. Ku ta dija se kjo ishe hera e fundit që po rrinin bashkë! Ndejtëm dhe u çmallëm në hapsirat e jashtme të ndërtesës ku ishte e vendosur Komanda e Brigadës 138 Agim Ramadani në Padesh. Atë mbrëmje bashkë me Haziziz, ulur pranë njëri tjetrit, folëm gjatë. Folëm për luftën që po përfundonte, folëm edhe për familjet tona, për lagjen, shokët e miqtë tanë, ku në disa raste nga malli edhe na u mbushën sytë me lot!
Shkruan: Samir Hoxha
Pak orë para, kur pritej nënshkrimi i marrëveshjes së Kumanovës e cila do ti jepte fund luftës sonë për liri, me Hazizin shkëmbyem biseda rreth të ardhmes që do na sjellë paslufta, shpalosëm ëndrrat tona. Ëndrra e Hazizit ishte që ti gjente shëndosh e mirë familjarët e tij. Ai sa me mall por edhe me besim fliste për të ardhmen e fëmijëve të tij që i donte aq shumë. Dëshira e tij e zjarrtë asokohe ishte që djemt e tij, Eshrefi, Lirigzoni dhe Egtoni, si dhe vajza Besarta të rriteshin dhe të shkolloheshin në Kosovën e lirë dhe kur të rriteshin të arrinin suksese në jetët e tyre. Sa me mall dhe me besim për të ardhmen e ndritur të tyre fliste! E unë në atë moshë të re i lodhur nga qëndrimi në vijat e frontit e ndëgjoja me vëmendje dhe mendoja se si do të ishte dita kur do të përfundonte lufta dhe do të kthehesha ta takoj familjen dhe shokët e gjeneratës në Prizrenin e lirë.
Ëndrra ime u bë realitet, u ktheva, pash Kosovën e çliruar, takova familjen, ritakova shokët e gjeneratës, vazhdova shkollimim dhe punën në Kosovën tonë të lirë.
Hazizi pati tjeter fat, atë të pavdekësisë. Ai ra në altarin e lirisë, duke marrë për jetë të jetëve emrin dëshmor i kombit.
Sot fëmijet e tij, janë rritur e burrëruar. Ata sikurse gjithë moshatarët tjerë gëzojnë lirinë, vazhdojnë jetën dhe relizojnë ëndrrat e tyre, duke bartur mbi vete peshën e dhimbjes, mallit e të krenarisë.
Ne të gjallët i përulemi me respekt jetës dhe veprës së heronjëve dhe dëshmorëve të kombit, duke mbart me vete kujtimet më të mira të kohës kur ishim me ta. Kujtime këto që në ditë dhe përvjetore të tilla, na bëjnë të ndjejmë mall dhe krenari për ato ditë të vështira dhe na japin forcë për të vazhduar dhe mbajtur amanetin e dëshmorëve të UÇK-së, ku fal mundit dhe gjakut të tyre Kosova jonë është shtet i pavarur dhe sovran. Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorit Haziz Tolaj, si dhe të gjithë dëshmorëve të kombit! Paqin të mirat e gjithë botës fëmijët e tyre qu rritën e u burrëruan pa më të dashurit e tyre, por duke e jetuar dhe sendërtuar Kosovën e lirë dhe të pavarur!