Shaqir Totaj ia shkruan Mytaher Haskukës pjesën e dytë të “cikërimave”

Shaqir Totaj krytar i Degës së PDK-së i shkruan Mytaher Haskukës pjesën e dytë të “cikërimave”

Postimi i Plotë:

Mytaher Haskuka – një kryetar cikërrimash ( Pjesa II- vazhdimi)

Përveç projekteve të shumta kapitale në të mirë të Komunës së Prizrenit, ish-kryetari Ramadan Muja kishte kalibrin edhe për disa rrënime të paligjshme. Kujtojmë aksionin e rrënimit në lagjen Ortakoll, ato në Jeni Mahallë, pastaj në Tabakhane, objektet tek Spitali, ato tek Stadiumi, e të tjera, duke i kthyer lokacionet në hapësira publike. Në kohën e tij janë rrënuar edhe 11 shtëpi të reja pa plan tek Barut’hanja.

Natyrisht se Haskuka aspak si ofrohet këtij kalibri. Megjithatë edhe ky nisi të rrënonte. Si zakonisht kuptohet, së pari aksionin e nisi me pompozitet në internet, më shumë për t’na shpëlarë  trurin me Propagandën komuniste në disa profile. Për dallim nga “bombardimi” elektronik e media tjetër ishte situata në terren. Kjo dukej në aksionin për heqjen e tendave të kafiterive nga shatërvani, duke menduar si axhami, pa ia pasur gajlen biznesit, pa e ditur se praktika nuk është teori marksiste. Tendat u larguan vetëm për pak muaj. Shihni sot realitetin në shatërvan, më konkretisht tek posta kryesore! Gjendja është edhe më keq!

Haskuka s’pati kaçik ta përmbush as premtimin për zgjidhjen e çështjes së shtëpisë, që e ka bllokuar rrugën e transitit të ri, ku qyteti do të shkarkohej nga automjetet.

Me Mytën pësoi arsimi, sporti, kultura… Klubi i krenarisë prizrenase, që fitonte në kohën e ish-Jugosllavisë, Liria, që më 2017 ishte afër garave evropiane, në kohën e tij ra në rangun e dytë të futbollit të Kosovës.

Çfarë degradimi!!!

Për çfarë tjetër mbahet mend Haskuka?!

Ky përuron sera prej najloni, ndonjë aneks shkolle të vogël tek drejtorët puthadorë të tij, pajisjet e zërimit në Kuvendin Komunal, fillimin e ndonjë analize në ambulancë, apo ndonjë projekti të PDK-së, siç ishte çerdhja, të cilën ky s’po mund ta vë as në funksion, prej gati gjysmëviti. Ky s’ka mundur ta bëjë madje as një drejtor shkolle, pos që shumë sosh janë të emëruar pa konkurs, e disa janë në shkelje të ligjit, përtej afatit të lejuar si ushtrues detyre. Për më keq shkarkoi disa drejtorë me performancë të mirë, vetëm pse nuk iu “laritën” politikës amatoreske të vartësve servil të tij dhe disa të ricikluarve, si mbetje nga partitë tjera, të cilët janë “të kapur” shkaku i shkeljeve të tyre të mëparshme.

Ama, Haskuka do të mbahet mend për rekordin në shkollën e mjekësisë “Luciano Motroni”, ku dy vitet e fundit janë emëruar katër ushtrues detyre të drejtorit, duke vazhduar ende kësisoj.

Haskuka do të mbahet mend, se si në emisionin “Jeta në Komuna” gënjeu publikisht se ish-drejtori i tij i arsimit, ishte dënuar nga gjykata për ‘dallavere’ rreth punësimit para se të ishte drejtor i tij.

Për dallaveret e qeverisjes së tij, zani i shkoi përtej Kosovës. Ato u pasqyruan dy herë  në emisionin hulumtues “Stop” të Tv Klanit të Shqipërisë, që e krahasoi Drejtorinë e Arsimit me nivel parashkollor.

Kulmi i të keqes është se në kohën e Haskukës, fillimin e vitit të ri shkollor – 1 shtatorin 2019, Prizreni e nisi pa drejtor komunal të Arsimit. Jo, që s’ka ndodh asnjëherë paslufte, por as gjatë kohës së shtëpive-shkolla, në vitet ’90-ta.

Haskuka do të mbahet mend si kryetari, që për mungesë vizioni ka kthyer në Prishtinë shuma milionëshe si tepricë buxhetore, rreth 25 milion euro.  Thënë ndryshe Prizrenit ia ka humbur 25 projekte kapitale prej 1 milion euro.

Gjatë qeverisjes së Haskukës vlerat madhore janë minimizuar. S’ka asnjë muaj, kur shtatorja, që duhej ta paraqiste gjigant kryeheroin tonë, Skënderbeun, e bëri të kundërtën. Në vend se ta bënte shembull Kryeqytetin Historik, ai e ktheu Prizrenin në qytetin më të përfolur për veprime amatoreske e madje edhe provokuese. Rreth kësaj pati debate një javë në Kosovë e në tv-emisionet e  Shqipërisë.

Utopi ishte të mendohej se një kryetar i kalibrit minimal të realizonte mega-projekt, si ai i Teleferikut për Kalanë e Prizrenit, që e pat trashëguar nga qeverisja e kaluar.

Këtij madje i kanë dështuar radhas edhe tenderët për pastrim, dekorimin e qytetit për festat e fundvitit…

Performanca e Haskukës në qeverisje, nuk është treguar as nga profesioni i tij prej profesori universitar.  Në këtë kontekst ai patjetër se do të mbahet mend, bile një kohë të gjatë! Prizrenasit s’kanë si ta harrojnë vetëvrasjen e njëpasnjëshme të dy nxënësve të shkollës së mjekësisë, në majin e 2018-ës, ndërsa nga Haskuka nuk ishte parë asnjë veprim i dukshëm parandalues, ndonëse edhe nga profili studiues, si doktor psikologjie, më së miri duhet ta ketë njohur këtë çështje.

A ju kujtohet se çfarë patën bërë këta si opozitë dhe shoqëria civile, në rastin e vdekjes tragjike të vogëlushes, Xheneta Gashi?  A ju kujtohet fjalimi i Haskukës si deputet në Parlament për këtë rast?! A ishte i njëjti njeri,  bile tash kryetar, kur dy vajza i dhanë fund jetës, njëra duke u hedhur nga një objekt në ndërtim?! Pse pati heshtje?!

Veprimet trevjeçare të Haskukës me mirënjohje e shpërblime kushtuar gjërave të vogla apo cikërrimave ditore, dëshmojnë heqjen dorë nga vlerat, për të cilat jo vetëm se ka nevojë, por edhe i meriton Prizreni!

Në fakt, ai vetëm formalisht është kryetar. Prizrenasit e dinë se kryetar real është Shefja, ndërsa Haskuka është një turist, prapa të cilit e ka axhami qeverisjen. Ky është NDRYSHIMI në Prizren?!!!

Ka edhe shumë të tjera për t’ia thënë. Duhen ditë për t’i shkruar…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *