U hap Panairi i 10-të jubilar i ShBZ ” Esnaf”, kësaj radhe në kuadër të forumit “Invest in Prizren”

Në kuadër të Forumit ” Invest in Prizren”, të mërkurën është hapur edhe panairi tradicional i Shoqatës së Biznesmenëve dhe Zejtarëve ” Esnaf” në të cilin po marrin pjesë mbi 40 biznese të ndryshme.

Pjesë e hapjes së panairit jubilar të 10-it me radhë të SHBZ ” Esnaf”  në hapësirat e  Parkut të Inovacionit dhe të Trajnimeve i cili këtë vit po organizohet në kuadër të edicionit të dytë të Forumit ” Invest in Prizren” në bashkëpunim me komunën, ishin drejtuesit përfaqësues të komuniteteve të biznesit nga Kosova e rajoni, drejtuesit më të lartë të pushtetit lokal të Prizrenit dhe kryetari i Edirnes së Turqisë dhe përfaqësues të partive politike lokale.

Kryetari i SHBZ ” Esnaf”, Varis Xhejlani, tha se panairi jubilar në këtë Forum, është një ndër organizimet më të fuqishme në përkrahje të ekonomisë vendore, si dhe apeloi që qeveria të mbështes bizneset në fuqizimin e tyre.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, e vlerësoi të rëndësishëm këtë organizim, dhe  tha se ai është duke u angazhuar që institucionet përkatëse qeveritare të bëjnë largimin e shumë procedurave burokratike të cilët po e pengojnë zhvillimin e biznesit, sikurse është rasti i Zonës Ekonomike në Prizren. Një fjalë rasti në hapje të këtij panairi e mbajti edhe kryetari i qytetit të Edirnes në Turqi, Recep Gurkan, i cili kujtoi kohën e njohjes me drejtuesit e SHBZ “Esnaf”.

Pjesëmarrësit të cilët po i ekspozojnë prodhimet e tyre në këtë panair dhe janë pjesë e tij, e vlerësuan lartë mundësinë e promovimit të produkteve që ata i prodhojnë para qytetarëve prizrenas dhe vizitorëve të shumtë.

Përveç panairit, në kuadër të Forumit ” Invest in Prizren”, gjatë ditës do të organizohet konferenca “Potencialet ekonomike të Komunës së Prizrenit” dhe “Mundësia e bashkë-investimeve në Komunën e Prizrenit”, si dhe takimet B2B mes bizneseve vendore dhe përfaqësuesve të bizneseve nga jashtë./Tv Prizreni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *