Shkoi ta kthejë fustanin që e kishte blerë, klientja e bën llom punëtoren e butikut në Suharekë

Punonjësit e bizneseve të cilët ofrojnë shërbime të shitblerjeve për qytetarët, shpesh herë përballen me pakënaqësi nga ta për produktet që blejnë. Ka shumë nga dyqanet që nuk praktikojnë që produktet e blera të kthehen apo ndërrohen, duke i revoltuar blerësit të cilët bëjnë veprime të pakontrolluara.

Një rast i tillë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në qytetin e Suharekës, ku një grua dyshohet se ka sulmuar fizikisht punëtoren e një butiku.

Mësohet se gjithçka ka ndodhur pasi e dyshuara kishte shkuar në dyqan që ta kthejë në fustan të cilin e kishte blerë moti aty, me pretekstin se i njëjti ishte i dëmtuar.

Punëtorja e dyqanit kishte refuzuar që t’ia kthejë paratë të cilat i kishte paguar klientja, gjë që e nervozoi gruan dhe e mllefosur e sulmoi fizikisht 21-vjeçaren, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Viktima, si pasojë e lëndimeve të marra është detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.

Me të marrë informatën, njësitet policore janë vënë në lëvizje që ta identifikojnë të dyshuarën e cila menjëherë pas aktit është larguar nga vendi i ngjarjes.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Lëndim i lehtë trupor’, ndërsa kanë nisur hetimet për kapjen e të dyshuarës./ Sinjali

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *