SHTËPIA PREJ GURI E FAMILJES HOXHAJ NË FSHATIN ZHUR TË PRIZRENIT

Shtëpia prej guri e familjes Hoxhaj në fshatin Zhur të Prizrenit, pjesë e regjistrit të aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme, ka njoftuar drejtori i QRTK-së, Samir Hoxha

Fshati Zhur është njëri prej vendbanimeve më të mëdha të rajonit të Prizrenit. Historikisht si vendbanim, fshati Zhur përmendet që në shek. II-III të erës sonë. Ndër shumë dëshmi të mbetura të kësaj periudhe është edhe stela prej gurit në oborrin e xhamisë së madhe të këtij fahati, në të cilën është gdhendur hardhia me kalaveshin e rrushit, veçori e epigrafisë dardane.

Sipas prof. Zef Mirditës, Zhuri ka qenë ndër vatrat e kryengritjeve të pandërprera ndaj Perandorisë Romake në viset Dardanisë, kryengritje që kanë vazhduar gjatë tërë historisë së fshatit deri në luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pozita e përshtatshme natyrore u ka mundësuar banorëve të kësaj treve që nga kohërat e lashta të merren me blegtori, bletari, vreshtari etj. Përbërja gurore e këtij vendbanimi, bëri që banorët e kësaj ane ta përdornin atë për ndërtimin e shtëpive. Një shtëpi e tillë që i ka mbijetuar kohës është edhe shtëpia e familjes Hoxhaj.

Kjo shtëpi është e ndërtuar në qendër të fshatit, në një parcelë jo të rregullt, dhe në terren të pjerrtë. Ndërtesa është e vendosur skaj të rrugës, ku në pjesën e brendshme gjendet oborri dhe më parë kanë ekzistuar hambari, koshi, muret rrethuese dhe dy shtëpi tjera.

Duke u bazuar në të dhënat e familjarëve, shtëpia banohet nga gjenerata e tetë e familjes, duke u trashëguar nga i ati në bijtë, gjeneratë pas gjenerate. Në bazë të teknikës së ndërtimit dhe stilit, supozojmë që shtëpia mund të datojë nga shek. XVIII – XIX.

Shtëpia e gurit e familjes Hoxhaj paraqet një shembull unik të një shtëpie guri të ndërtuar në zonë rurale, ku enterieri është trajtuar me elemente të pasura dekorative, ngjashëm me trajtimin artistik të shtëpive qytetare, andaj marr për bazë këtë fakt, është propozuar si pjesë e regjistrit të aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *