Shteti rikthen tavanin për çmimet e derivateve, pritet edhe për produktet elementare ushqimore
Shteti do ta rikthejë sërish praktikën për të kontrolluar çmimet e shitjes së derivateve në vend, që e aplikoi nga fundi i qershorit deri në fund të korrikut. Udhëzimi Administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës është miratuar në mbledhjen e djeshme të Qeverisë. Naftëtarët thonë se ende nuk e dijnë se çka parashihet me këtë udhëzim, e që t’ua shpjegojë u kujdes kryeministri Kurti në konferencë për media.
Çmimet e derivatave në vend do të përcaktohen sërish me një “tavan” që do ta vendosë Ministria e Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë. Këtë praktikë, Ministria e kishte aplikuar fillimisht në fund të muajit qershor, pasi çmimi i naftës kishte arritur në gati 2 euro.
Për çdo ditë, deri më 24 korrik, Ministria dilte me vendim ku përcaktonte çmimin maksimal për shitjen e derivateve.
Nga 1 euro e 95 centë sa ishte çmimi kur MINT doli me vendim, në fund të korrikut ra në 1 euro e 69 centë, sa po shitet aktualisht.
E me vendimin e djeshëm, Ministria do ta rikthejë sërish “kontrollin” mbi çmimet e naftës dhe benzinës.
Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Kosovës, u miratua unanimisht plotësim-ndryshimi i udhëzimit administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe karburanteve tjera.
Shpjegime për këtë udhëzim dha kryeministri Albin Kurti, në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Ai sqaroi se do të ketë sërish tavan për çmimin e naftës, derisa paralajmëroi se do të caktohet tavan i çmimeve edhe për produktet elementare ushqimore.
“Sot kemi pasur edhe vendimin lidhur me çmimin tavan sa i përket naftës, por edhe marzhës së fitimit të tregtarëve me pakicë dhe me shumicë. Pra, edhe duam ta mbrojmë konsumatorin nga rritja e çmimit të naftës, por në të njëjtën kohë edhe ta ruajmë konkurrushmërinë. E kemi edhe nismën legjislative për çmimet bazë që duhet të kenë tavan, sa i përket produkteve elementare ushqimore”, deklaroi Kurti.
E sqarimin e Kurtit duket se nuk e kanë ndjekur naftëtarët. Nga Shoqata e Naftëtarëve kanë deklaruar se ende nuk e dijnë se çka parashihet me këtë vendim.
Kreu i Naftëtarëve, Fadil Berjani, i ka thënë Gazetës Express se po presin të njoftohen nga Ministrja Hajdari, për përmbajtjen e udhëzimit.
Ka thënë se vendimi i mëhershëm ka qenë i dëmshëm për pompat e derivateve dhe si pasojë e atij vendimi, shumë pompa janë buzë falimentimit.
“Ne kemi pas kontak me ministren Rozeta Hajdari dhe jemi të njoftuar lidhur me vendimin të cilin e propozon Qeveria. Ne jemi në pritje që të njoftohemi se çka parashihet në atë vendim. Vendimi paraprak ka qenë i dëmshëm për pikat e karburantit dhe shumë pika janë në buzë falimentimit”, ka thënë Berjani.
Sipas tij, nëse aktivizohet sërish ky vendim, do të krijohet gjendje alarmante e sektorit të naftës dhe se ata do ta kundërshtojnë.
Ai ka treguar edhe sa po shitet nafta aktualisht.
“Në qoftë se prapë aktivizohet një vendim i tillë do të bëhet një gjendje alarmante në sektorin e naftës. Vendimet s’mund ta ulin çmimin, çmimin e ul berza dhe në rritjen e çmimit ka ndikim edhe lufta Ukrainë & Rusi. Kosova është treg i hapur. Çmimi furnizues i Dizellit është 1.65 centë, derisa çmimi në pika karburanti përafërisisht 1.69 centë me pakicë. Çdo vendim i Qeverisë duhet te respektohet, por në qoftë është i dëmshëm për biznese si ai vendimi paraprak do ta kundërshtojmë”, ka deklaruar Berjani.