S’ka asgjë konkrete për lejimin e dasmave, Vitia takohet pasdite me hotelierët

Sot Asosacioni i Komunave të Kosovës ka njoftuar publikun se nga takimi me ministrin Arben Vitia, janë dakorduar për vlerësimin e situatës gjatë kësaj jave, në mënyrë që të hiqet ora policore dhe nga mesi i qershorit të lehtësohen masat lidhur me ahengjet.

Sipas njoftimit të AKK-së, lokalet do të punojnë deri në ora 12 të natës, ndërsa organizimi i dasmave pritet të lejohet nga 15 qershori i këtij viti.

Por, menjëherë pas publikimit, ky njoftim i AKK-së u editua dhe u largua pjesa që njoftonte për lejimin e dasmave dhe ahengjeve prej datës 15 qershor.

Në një prononcim për lajmi.net, drejtori ekzekutiv i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit në Kosovë, Visar Demolli, ka thënë se ky njoftim nuk është zyrtar.

“Atij njoftimi i kanë dhënë bujë më të madhe se sa është dashur, pasi që nuk ka asgjë zyrtare nga ministri. Në ora 16:30 kemi takim me ministrin Vitia dhe pastaj dalim zyrtarisht me një njoftim”, ka thënë Demolli.

Ai ka thënë se së pari pritet të formohet një grup që do të publikojë manualin për funksionimin e dasmave, klubeve dhe pishinave.

“Manuali pritet të publikohet më 1 qershor, por zyrtarisht ju njoftojmë pas orës 16:30, pra pasi të përfundojmë takimin me ministrin”, ka thënë Demolli.

Lajmi.net ka provuar të kontaktojë edhe drejtorin ekzekutiv të Asosacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimin, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *