Sot dita e fundit e fushatës zgjedhore në Kosovë

Sot në mesnatë mbyllet fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Partitë politike deri në mesnatë duhet të përmbyllin përpjekjet për të bindur votuesit e regjistruar që të mbështesin përfshirjen e tyre në qeverisjen e ardhshme të vendit.

Dita e nesërme, do të jetë heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën, më 14 shkurt qytetarët do t’iu drejtohen kutive të votimit për të votuar kandidatët e tyre të preferuar për deputetë si dhe kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.

Përgjatë 10 ditëve, subjektet politike kanë shpalosur programet e tyre para elektoratit në secilin pjesë të Kosovës.

Siç njofton Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) numri i Qendrave të Votimit në të gjithë vendin është 888 me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.

Gjatë periudhës së aplikimit, KQZ-ja ka pranuar gjithsej 130 mijë e 168 aplikacione për regjistrim.

Pas vlerësimit të aplikacioneve janë aprovuar 102 mijë e 100 aplikacione, ndërsa janë refuzuar 28 mijë e 68 aplikacione.

Arsyet e refuzimit janë të ndryshme, por pjesa më e madhe e tyre, 15 mijë e 933 aplikues janë refuzuar për shkak se kanë dërguar vetëm formularin e aplikimit për regjistrim, ndërsa 11 mijë e 164 aplikues janë refuzuar për shkak se nuk i kanë dëshmuar ose identitetin ose kriterin e zotësisë juridike dhe ose aplikacionet për regjistrim kanë qenë të panënshkruar

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *