Studim: Njerëzit që e kanë kaluar Covid-in mund të kenë nevojë vetëm për një dozë vaksine
Sipas një studimi të publikuar të hënën, njerëzit që e kanë kaluar më parë Covid-in dhe që kanë marrë vetëm një dozë të vaksinës kundër sëmundjes së re kanë sasi të njëjtë ose më të madhe të antitrupave në krahasim me njerëzit që kanë marrë të dy dozat e vaksinës por që nuk janë infektuar.
Ata që janë prekur më herët nga Covid-i gjithashtu duket se kanë efekte anësore më të përgjithësuara pas dozës së parë, si plogështia, temperatura dhe dhimbja në muskuj, ngjashëm me ato që pritet t’i përjetojnë personat që e marrin dozën e dytë, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
Autorët e hulumtimit thanë se ndryshimi i rregullave që personave të infektuar t’u jepet vetëm një dozë do t’i kursente ata nga dhimbja e panevojshme dhe do të siguronte doza që nevojiten në mënyrë urgjente për të tjerët.
Në studim u përfshinë 109 persona të vaksinuar. 41 prej tyre ishin të infektuar me koronavirus më parë. Personat që nuk kishin qenë të infektuar shfaqën reagim relativisht të ulët imunitar në 9 deri 12 ditët e para pas vaksinimit, ndërsa personat e infektuar më parë zhvilluan shpejt reagim imunitar.
Ndryshe, Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në ShBA ka thënë se edhe personat që e kanë kaluar sëmundjen duhet të vaksinohen, sepse ende është e paqartë sa zgjat mbrojtja me antitrupa.