Të dyshuarit nuk arritën të marrin asgjë në argjendari, vodhën një veturë për tu larguar
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi ka bërë të ditur se personat e dyshuar për tentim grabitjen në argjendarinë në Prizren nuk ia dolën të marrin asgjë.
“Të njëjtit nuk kanë arritur që të kryejnë grabitjen dhe pas një përleshjeje kanë arritur që t’i plagosin dy viktima. Të njëjtit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet, i cili është aksidentuar, më pas i është vënë zjarri dhe është ndalur në mënyrë të dhunshme nga ky grup një automjet tjetër, dhe nga ai automjet janë larguar në drejtim të panjohur.” tha Gashi në Klan Kosova.
Tutje ai bëri të ditur se policia është duke bërë të pamundurën për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Ndryshe, Dy persona kanë mbetur të plagosur në një tentim-grabitjeje në Prizren. Të plagosurit dyshohet se janë babë e bir, pronarë të argjendarisë ku ndodhi tentim-grabitja e armatosur.
Sipas policisë, të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë.