Të shtëna me armë në Prizren, plumbat godasin derën e një shtëpie
Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka raste kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr, raporton Gazeta Sinjali.
Disa të shtëna me armë janë dëgjuar mbrëmë pas mesnate në fshatin Atmaxhë të Prizrenit.
Sinjali mëson se një 47-vjeçar ka raportuar në Polici se ka dëgjuar krismat e armëve, teksa në mëngjes ka vërejtur se si pasojë e kësaj është dëmtuar dera e shtëpisë se tij.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar disa gëzhoja që dyshohet se i përkasin armës që u përdor në rast.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe po vazhdojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.