Temperaturat e ulëta rritin ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike në Kosovë

Ulja e vërejtshme e temperaturave në Kosovë, këtyre ditëve, sidiomos gjatë të hënës dhe të martës (16 dhe 17 tetor), ka rritur ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike. Ky ndryshim në konsumin e rrymës në vendin tonë është thuaja i zakonshëm, për shkak se me ftohjen e motit shumë qytetarë angazhojnë mjete ngrohëse të bazuara në energji elektrike. Madje, në ditët e para të uljes së temperaturave, përkohësisht, aktivizojnë nxemëse elektrike edhe familjet që në sezonin e dimrit hapësirat e tyre të banimit nuk i ngrohin me rrymë, por me dru, qymyr, pelet etj.

Të hënën, kur në Kosovë nisën të ndihen temperaturat e ulëta dhe dukshëm nën ato që mbajtën në shtator, por edhe në gjysmën e parë të tetorit, konsumi maksimal i Kosovës ka shkuar në rreth 730 megavatë-orë, që i bie se të hënën në Kosovë për nevojat e furnizimit të konsumatorëve janë shpenzuar mbi 13 000 MWh.

Margarita Rashiti, zëdhënëse e KESCO-s, ka sqaruar për Buletinin Ekonomik se gjatë ditës së hënë kur pati ulje të ndjeshme të temperaturave, në konsumin e Kosovës janë shpenzuar diku rreth 75 MW më shumë sesa deri në ditën e diel, ose se dy ditë më parë.

Sipas zëdhënëses së KESCO-s, deri më 15 tetor, konsumi mesatar ditor ka qenë rreth 12 000 MËh, kurse piku maksimal i shënuar, ka qenë 655 MË. Sipas të dhënave, pra gjatë ditëve më të ngrohta që mbajtën edhe gjatë shtatorit dhe gjysmës së parë të tetorit, konsumi i energjisë elektrike në vend sillej rreth 600-655 megavatë-orë. Dhe kjo sasi e rrymës përafërsisht arrihej të sigurohej nga prodhimi i kapaciteteve vendore, të cilat ishin goxha të reduktuara për shkak të remonteve të rregullta në bllokun B1 të termocentraleve Kosova B dhe lënies jashtë procesit të prodhimit të A5-shit të termocentraleve Kosova A.

Më kokretisht, Kosova ka një kohë të gjatë që po furnizohet me energjinë elektrike të prodhuar vetëm nga dy blloqet e termocentraleve Kosova A (A3 dhe A4) dhe të bllokut B2 të Kosovës B, dhe në rast nevoje, përkatësisht kur në konsumin e vendit në ndonjë rast ka ndodhur në këtë periudhë të rritet shumë shpenzimi i rrymës edhe me energjinë e siguruar me import nga KEK-u.

Kjo situatë ka zgjatur praktikisht disa muaj për shkak se blloku B1 i termocentraleve Kosova B është në një remont më të detajuar dhe si i tillë ka marrë shumë kohë sikundër edhe remonti paraprak identik i B2-shit (rreth 3 muaj e më shumë ditë), ndërsa edhe blloku A5 i termocentraleve Kosova A ka pokështu një kohë të gjatë që gjendet jashtë prodhimit. Për këtë të fundit, shkakun pse A5-shi po qëndron jashtë operimit, nga zyrtarët e KEK-ut disa herë ishte thënë se “pasi që kapacitetet ekzistuese që janë në prodhim (B2 dhe A3 e A4) përafërsisht po i plotësojnë nevojat e konsumit që gjatë ditëve të ngrohta nuk ka ndonjë lëvizje të theksuar, po mendohet që A5-shi të ruhet sa më shumë që është e mundur për ditët e dimrit, kur pritet të rritet shpenzimi i rrymës.

Siç po shihet pra, pak a shumë kjo gjendje në procesin e prodhimit të KEK-ut, në njëfarë mënyre është e kushtëzuar deri më 23 tetor, kur siç kanë theksuar zyrtarët e KEK-ut, blloku B1 do të rikthehet në operim pas riparimit. Kështu, deri sa të rikthehet në sistem të prodhimit pas riparimit të bllokut B1 (23 tetor 2023), që ka kapacitet 260 megavatë-orë dhe riaktivizimit të A5-shit, Kosova do të vazhdojë të furnizohet vetëm nga prodhimi i njësive A3 dhe A4 të termocentraleve Kosova A, që secila prodhonë nga 130 megavatë-orë veç e veç, ose bashkarisht 260 megavatë.

Një sasi që është thuaja minimaliste prej dhjetëra megavatësh prodhohet edhe nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme, minihidrocentralet dhe parqet e energjisë së erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës. Në këtë mënyrë, i bie që nga prodhimi i kapaciteteve vendore të energjisë elektrike, Kosova me këtë rritje të konsumit, nuk ka mundësi të përmbushë nevojat e veta, ndërsa alternativë e vetme mbetet importi i rrymës nga tregjet ndërkombëtare të energjisë, ku me të ftohtin edhe çmimet e rrymës ngriten ndjeshëm.

Bie fjala, dje, në bursën hungareze HUPX, nga e cila rëndom importon Kosova energji elektrike, një megavatë-orë, gjatë orëve të ditës ka kushtuar, 144 euro (ndërsa gjatë ditës së hënë çmimi në këtë bursë ishte 130 euro. Ndërsa gjatë kohës së pikut, dje çmimi i një megavati orë ka kushtuar 152 euro, ndërsa të hënën ky çmim ishte 142 euro, që i bie të jetë për 30-40 euro më i lartë se dhjetë ditë më parë. /Buletiniekonomik

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *