Testet e shpejta për COVID-19 fillojnë të kryhen edhe në këto 4 fshatra të Prizrenit
Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, ka njoftuar se për shkak të rritjes së numrit të pacientëve, realizimi i testeve të shpejta (rapide) për COVİD-19, përveç në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Qendrën e Mjekësisë Familjare në Bajram Curr, tanimë do të mund të kryhen edhe në QMF-të e fshatrave Gjonaj, Reçanë, Korishë dhe Zhur.
Në njoftim thuhet se në këtë mënyrë, Drejtoria e Shëndetësisë po synon të ulë intensivitetin e punës në QKMF dhe QMF në Bajram Curr dhe po ashtu të eliminojë lëvizjet e qytetarëve, eventualisht të prekur me COVID-19.
“Kujtojmë se përveç këtyre testeve, Komuna e Prizrenit është njëra nga komunat e para në Kosovë, që ka kompletuar pakon e shërbimeve për Covid-19, duke i realizuar edhe testet e D-Dimer-it, rentgenin e mushkërive, analizat tjera të nevojshme dhe testet serologjike”, thuhet në njoftim.
DSH-ja apelon tek të gjithë qytetarët që të kujdesen për veten, familjen dhe miqtë e tyre duke mbajtur maskën, distancën dhe pastërtinë.