Trusti e nis dobët edhe 2023-tën

Asetet e sektorit pensional në Kosovë kanë shënuar ngadalësim të theksuar të rritjes dhe kthim më të ulët në investime gjatë periudhës janar-mars 2023, krahasuar me vitin 2022.

Gjatë tre muajve të parë të vitit 2023, kthimi bruto në investimet e Trustit ishte vetëm 427.5 mijë euro, kundrejt humbjeve në vlerë prej 60.5 milionë eurove një vit më parë.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë, krejt kjo vjen si pasojë e zhvillimeve jo të favorshme makroekonomike që kanë afektuar njëkohësisht turbulencat e tregjeve financiare dhe krizës së papritur në disa banka rajonale në SHBA dhe Credit Suisse në Zvicër në mars të këtij viti, të cilat përkundër që ishin raste të izoluara, kanë ngritur shqetësimet për amplifikim të mundshëm të një krize më të gjerë financiare në botë dhe në rajon

“Niveli i ulët i kthimit bruto në investime në tremujorin e parë të vitit 2023 është kryesisht rezultat i luhatjeve të tregjeve globale pas dështimit të disa bankave në SHBA dhe efekteve të bartura në Evropë”, thuhet ndër tjerash në raportin e BQK-së.

Në raport theksohet se asetet e fondeve pensionale në vend u rritën me 5.3 përqind në fund të marsit 2023, por që si vlerë është dukshëm shifër më e ngadalësuar se në vitin paraprak prej 14.0 përqind.

Vlera e aseteve pensionale deri në mars ka arriti në 2.47 miliardë euro, nga të cilat 99.6 përqind përfaqësohen nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK-ja), dhe pjesa e mbetur nga Fondi Slloveno-Kosovar i Pensioneve (FSKP-ja).

E përderisa FKPK-ja shënoi rritje vjetore të aseteve prej 5.4 përqind, asetet e Fondit Slloveno-Kosovar të Pensioneve (FSKP-ja) shënuan rënie vjetore prej 2.2 përqind në mars 2023.

Nga raporti i BQK-së del e dhëna se të dyja fondet pensionale këtë fillimvit janë karakterizuar me zvogëlim të portfolios investuese në tregun e jashtëm krahas rritjes së investimeve në atë të brendshëm, duke qenë të afektuara nga luhatjet negative që kanë prekur tregjet financiare. Në këtë kontekst, për FKPK-në rritje të theksuar kishin certifikatat e depozitit dhe bilanci/paraja e gatshme me BQK-në, të cilat kategori ishin në rënie në mars të vitit paraprak, ndërsa letrat me vlerë të qeverisë së Kosovës vazhduan rritjen, por me ritëm më të ngadalësuar prej 1.4 përqind nga rritja 17.5 përqind një vit më pare.

Në anën tjetër, vlera e kontributeve të arkëtuara nga FSKP-ja për tremujorin e parë të vitit 2023 arriti në 156.8 mijë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 5.7 përqind, që sipas BQK-së është e ndikuar nga rritja e numrit të kontribut-dhënësve. Kurse, kthimi kumulativ bruto nga investimet për tremujori e parë të vitit 2023 arriti në 247.3 mijë euro kundrejt humbjeve në vlerë 295.8 mijë një vit më parë, e që ishte rezultat i turbulencave të krijuara në tregjet financiare.

“Vlera e kontributeve të arkëtuara nga FKPK-ja për tremujori e parë të vitit 2023 shënoi rritje vjetore prej 18.1 përqind, duke arritur në 66.2 milionë euro. Rritja e lartë dyshifrore e kontributeve të arkëtuara ndër tjerash reflekton edhe rritjen e pagave të shërbyeseve civil, që ishte efektive nga fillimi i vitit 2023”, vazhdon raporti.

Ndryshe, asetet e Fondit Pensional të Kosovës kryesisht janë të investuara në tregun e jashtëm (70.9 përqind e portfolios investuese), në fonde të përbashkëta në vlerë prej 1.75 miliardë euro (apo 70.8 përqind e gjithsej aseteve të FKPK-së), kurse pjesa tjetër e investimeve është e diversifikuar në letra me vlerë të Qeverisë së Kosovës në vlerë prej 549.8 milion euro apo 22.4 përqind e gjithsej portfolios investuese dhe certifikata të depozitit në sektorin bankar vendor në vlerë prej 128.2 milionë euro (5.2 përqind e gjithsej investimeve). Po ashtu, edhe struktura e portfolios investuese e Fondit Slloven (FSKP-ës) është e ngjashme me atë të FKPK-së, duke qenë kryesisht e orientuar në tregun e jashtëm, në aksione që përbëjnë 69.7 përqind të portfolios investuese dhe në letra me vlerë, që përbëjnë vetëm 4.8 përqind të gjjithsej investimeve. Kurse, investimet brenda vendit janë kryesisht të fokusuara në letra me vlerë të Qeverisë së Kosovës që përbëjnë 14.1 përqind të gjithsej portfolios investuese. /Buletini Ekonomik

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *