Ura e vjetër në grykën e Lumbardhit

Në Grykën piktoreske të Lumbardhit, 5 km në verilindje të Prizrenit, në afërsi të gërmadhave të Manastirit të Kryeengjujve, e në anën e djathtë të rrugës së tanishme Prizren-Sredskë-Prevallë, gjendet Ura e Vjetër e Gurit.

Kjo urë është ndërtuar në aksin e rrugës së vjetër e cila nisej nga Prizreni, përgjatë grykës së Lumbardhit, e nëpër malin e Sharrit dilte në luginën e Vardarit, për në Shkup e tutje. Pra, prej kohësh, nëpërmjet kësaj rruge është zhvilluar komunikacioni dhe tregtia ndërmjet Prizrenit e Shkupit dhe anasjelltas.

Për kohën e ndërtimit të saj nuk ka të dhëna as gojore e as të shkruara, por në bazë të ngjashmërisë së saj me Urën e Gurit të Qytetit, vihet në përfundim se këto dy ura janë kohanikë, në fund të shek. XV, ose në fillim të shek. XVI.

Ura e Gurit në Grykën e Lumbardhit është urë me përmasa të vogla, njëharkore, e ndërtuar me gurë lumi cilësor, ndërsa harku i saj është me gurë të përpunuar të lidhur ndërmjet vete me llaç gëlqeror. Përmasat e saj janë: Gjatësia 20 m (e përafërt), gjerësia 3,5 m. Lartësia e harkut 13 m, lartësia e tij 6 m.

Skajoret e urës janë nga guri i përpunuar, me këto dimensione: 45x15x70 cm. Traseja e urës është e shtruar me kalldrëm. Ura ka një trajtim të pasur artistik e estetik dhe përshtatet në peizazhin shkëmbor të Grykës së Lumbardhit që shtrihet në horizontin e saj.

Me asfaltimin e rrugës dhe ndërtimin e urës së re, më 1955, që kalon fare pranë Urës së Vjetër, ndryshuan rrethanat. Ura e Vjetër e humbi funksionin primar që e ushtronte ndër shekuj, tani nëpër të kalon vetëm ndonjë kalimtar rasti, kështu ajo pothuajse bëhet joaktive, ndërkaq kjo gjendje reflektohet edhe në kujdesin e shoqërisë ndaj saj.

Ndonëse ajo është ndër monumentet e rralla origjinale që ka mbërri në ditët tona, ajo nuk mirëmbahet. Gjendja e saj është kritike, traseja e urës është e mbushur me zhavorr e barishte, skajoret janë dëmtuar, ka edhe dëmtime tjera strukturale etj.

Me karakteristikat që i përmban kjo urë i takon grupit të urave periudhës Osmane të ndërtuara në këtë regjion. Paraqet ndërtimin e vetëm të këtij lloji, që është ruajtur në gjendje origjinale deri në ditët e sotme, dhe si të tillë ka vlera të larta arkitektonike dhe shkencore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *