Varianti Delta i Covid-19 prek 98 vende të botës
Janë 98 vende të botës që kanë raportuar praninë e variantit indian të koronavirusit të njohur si Delta. Detajet i dha kreu i Organizatës Botërore e Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus sipas të cilit, ky variant po vijon të përhapet.
Ai apeloi që qeveritë dhe autoritetet shëndetësisë të jenë të kujdesshme me lehtësimin e masave pasi është vënë re se varianti Delta po vijon të ndryshojë. Kreu i OBSH-së paralajmëroi se ky variant do të bëhet shumë shpejt mbizotërues në të gjithë botën dhe vende të caktuara mund të hyjnë në një tjetër fazë të rrezikshme të pandemisë.
Ajo që po e vuan më shumë praninë e këtij varianti është aktualisht Rusia. Për të pestën ditë radhazi autoritetet njoftuan rekorde të vdekjeve ditorë. Në 24 orët e fundit u shënuan 697 viktima, shifra më e lartë që nga nisja e pandemisë. Të larta janë edhe shifrat e të infektuarve të rinj ku u shënuan mbi 24 mijë e 400 persona, shifra më e lartë që nga 15 janari.
Infektime të larta, për shkak të variantit Delta po njeh këto ditë edhe Britania e Madhe, por vdekjet kanë qenë në shifra të ulëta. Ekspertët thonë se ndikim ka dhënë fushata e vaksinimit.
Varianti indiani Covid-19 po godet edhe Australinë ku 24 orët e fundit shënuan një rritje të menjëhershme të infektimeve duke vënë autoritetet në alarm. Varianti Delta u shfaq fillimisht në Indi dhe konsiderohet më ngjitës se virusi tradicional. Ekspertët thonë se mbrojtja më e mirë është marrja e një vaksine.