Varret boshe në Krushë të Vogël në pritje të të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë
Shkallë – shkallë, në hapësirën me beton të bardhë, në fshatin Krushë e Vogël të Prizrenit, janë renditur 113 hapësira varresh me formë të njëjtë.
Por, ka një dallim mes tyre.
Tek-tuk ndërmjet varrezave që përmbajnë emra, pllaka përkujtimore e lule, gjenden edhe hapësira pa emra e pa lule dhe me disa numra të gërryer mbi beton.
Ato janë varret e zbrazëta që presin 61 persona të zhdukur nga një masakër që kishte ndodhur në këtë fshat, më 25 dhe 26 mars të vitit 1999.
Në atë masakër, forcat serbe vranë 112 civilë – një tjetër u vra disa muaj më vonë.
Deri më tash, vetëm 52 prej tyre iu gjetën mbetjet mortore.
Më 30 gusht shënohet Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjeve me Forcë.
Agron Limanit iu vra babai, vëllai dhe dy kushërinj të afërt në masakrën e Krushës së Vogël.
Deri më tani, ai arriti ta varrosë vetëm vëllain, pasi i gjetën disa mbetje mortore më 2016.“Është një pritje e tmerrshme, që të torturon”, thotë Agroni teksa qëndron mbi varret e zbrazëta.
Çfarë dihet për masakrën e Krushës së Vogël?
Konsiderohet ndër masakrat më të mëdha që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
Sipas rrëfimeve të mbledhura nga të mbijetuarit e masakrës, në datat 25 dhe 26 mars në fshatin Krushë të Vogël u ekzekutuan 112 burra.
Sipas të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd , nga ofensivat serbe më së shumti njerëz u vranë më 26 mars.
Atë ditë, në një shtëpi të fshatit ishin mbledhur mbi 100 burra ndaj të cilëve më pas ishte shtënë me armë zjarri. Më vonë, shtëpisë – me trupat brenda – i ishte vënë flaka.
Në lidhje me këtë masakër, deri më tani, në Kosovë u dënua Darko Tasiq me 11 vjet burgim.
Ai u dënua vetëm për përdhosje të trupave të viktimave dhe plaçkitje, por jo për vrasje.1
Memoriali i varrezave në Krushë të Vogël
Shtëpia ku ishte kryer masakra, gjendej në Lagjen “Batusha” të Krushës së Vogël.
Agron Limani thotë se i kanë mbetur pak shpresa se do të arrijë t’i gjejë eshtrat e familjarëve të zhdukur.
Varre të zbrazëta gjenden edhe në fshatin Krushë e Madhe në komunën e Rahovecit, ku rreth 60 persona janë ende të zhdukur nga masakra që kishte ndodhur në atë fshat, po ashtu më 25 dhe 26 mars.
Mehdi Ahmeti te varri i zbrazët i gjyshes së tij, Hamide Ahmeti. Ajo është e zhdukur që nga prilli i vitit 1999.
Data e fundit kur Hamide Ahmeti, 82-vjeçare, ishte parë e gjallë, ishte 5 prilli i vitit 1999.
Në një nga ofensivat e forcave serbe në fshatin Rezallë të Komunës së Skenderajt, ajo gjendej në shtëpi me gra të tjera dhe fëmijë.
Siç rrëfen nipi i Hamides, Mehdiu, forcat serbe po dëbonin atë ditë popullatën civile.
Kështu, një burrë i fshatit, i quajtur Ibush Deliu, ishte ofruar që ta bartte gruan e paralizuar me një karrocë, pasi të tjerët nuk patën forcë për ta lëvizur atë.
Gjersa Deliu u gjet i vdekur disa ditë më vonë, Hamides iu zhdukën gjurmët.
Mehdiu thotë se vizitat në varrin e zbrazët nuk e bëjnë të ndihet mirë.”Ndoshta e kanë mbytur, e kanë rrëzuar, apo ndoshta e kanë shkelur me ndonjë autoblindë. Fati i saj, sot e asaj dite, nuk dihet”, thotë Mehdiu.
“Kam shumë dëshirë t’i gjej eshtrat e tij”
Bashkim Ibishi është djali i Tafil Ibishit, i cili kishte jetuar në fshatin Bajgorë të Mitrovicës.
Më 2 maj të vitit 1999, pak pa i mbushur 55 vjet, Tafili ishte ndarë nga kolona e shqiptarëve të Kosovës në fshatin Studime të Vushtrrisë. Ata po iknin në drejtim të Shqipërisë, për shkak të ofensivave të forcave serbe.
Sipas dëshmitarëve në atë zonë, ai ishte vrarë me armë zjarri së bashku me mbi 100 civilë të tjerë, në atë që njihet si Masakra e Studimes.
Pasi kufomat ishin varrosur në gropa të improvizuara, Bashkimi kishte menduar se i ka gjetur eshtrat e babait afër vendit ku ai u vra.
Por, analizat e ADN-së që i bënë para rreth tetë vjetësh, vërtetuan se ato eshtra i përkisnin dikujt tjetër.
Kështu, Tafili tani llogaritet i zhdukur, ndonëse e ka varrin e hapur.
Varri i zbrazët i Tafil Ibishit
Bashkim Ibishi thotë se nuk do të pushojë deri në gjetjen e babait.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës së viteve 1998-‘99, në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.500 persona – shumica dërrmuese shqiptarë.
Në tërë territorin e Kosovës llogaritet të kenë ndodhur rreth 400 masakra.
Mijëra mbetje mortore janë gjetur përgjatë viteve në varreza masive në Kosovë dhe në Serbi.
Mbi 1.600 persona konsiderohen ende të zhdukur – shumica shqiptarë.
Misioni i Radios Evropa e Lirë është plasimi i informatave dhe ideve që promovojnë vlerat dhe institucionet demokratike. Radio Evropa e Lirë financohet nga fondi i Kongresit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Media Globale.