Vlerësohet i kundërligjshëm vendimi i Kuvendit të Prizrenit për formimin e një komisioni vlerësues

Mos përfshirja e emrave të dy anëtarëve të Ekzekutivit lokal në vendimin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit për formimin e komisionit vlerësues për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim afatshkurtër ka mjaftuar që ky akt të vlerësohet i kundërligjshëm nga Ministria e Pushtetit Lokal. Përmes një shkrese të dërguar në adresë të kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka dhe kryesuesit të Kuvendit, Sulltan Badallaj, kjo ministri ka kërkuar rishqyrtimin e këtij vendimi dhe harmonizimin e tij me legjislacionin në fuqi.

Në këtë kërkesë, ministria përkatëse fillimisht ka sqaruar se ka pranuar në shqyrtim të detyrueshëm të ligjshmërisë vendimin e KK të Prizrenit për formimin e komisioni vlerësues për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim afatshkurtër, të miratuar në seancën e datës 25 shkurt 2021.

“Ministria e Pushtetit Lokal, pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit të komunës si më sipër, vlerëson se akti i komunës është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”, thuhet në shkresë.

Tutje është theksuar se vendimi në fjalë është kundërshtim me dispozitat e Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës, përkatësisht nenin 17, paragrafi 2, ku sqarohet se: Kryetari i Komunës i propozon dy anëtarët nga Ekzekutivi i Komunës, Kuvendi i Komunës propozon dy anëtarë nga Kuvendi i Komunës nga radhët e subjekteve të ndryshme politike dhe një anëtar nga sektori jo-qeveritar, i cili propozohet nga sektori jo-qeveritar lokal; si dhe pika 3 ku sqarohet se: Vendimi për emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të komisionit aprovohet në Kuvendin e Komunës me shumicën e votave të anëtarëve prezentë që votojnë.

“Në rastin konkret në vendimin e miratuar për formimin e komisionit vlerësues për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim afatshkurtër, nuk janë emrat e dy anëtarëve nga Ekzekutivi i Komunës. Andaj bazuar në të lartcekurat, Kuvendi i Komunës së Prizreni, duhet ta rishqyrtoj këtë vendim dhe aktin ta harmonizoj me legjislacionin në fuqi”, thuhet në shkresë. MPL ka bërë të ditur se një gjë e tillë duhet të kryhet brenda afatit 30 ditor, nga data e pranimit të kërkesës për rishqyrtim të aktit.

Vendimi për formimin e këtij komisioni vlerësues është miratuar në seancën e KK-së së Prizrenit të mbajtur më 25 shkurt 2021, bashkë me vendimin për dhënien e 19 pronave komunale në shfrytëzim me qira, respektivisht 16 lokale, 1 ndërtesë dhe 2 hapësira publike, përmes ankandit publik.

Gjatë diskutimeve, anëtarët e KK-së, kanë propozuar tri emra të kuvendarëve për të qenë pjesë e komisionit vlerësues, teksa emrat e anëtarëve të komisionit nga Ekzekutivi lokal nuk janë përmendur fare në këtë seancë. Ndërsa nga shoqëria civile është propozuar aktivisti shumëvjecar, Bashkim Gashi. Duke qenë se në komision parashihet të marrin pjesë vetëm dy kuvendarë, kryesuesi Badallaj, propozimet i ka vënë në votim, me c’rast Kastriot Krasniqi i PDK-së me 19 vota dhe Ilir Baldedaj i AAK-së me 22 vota janë zgjedhur anëtarë të këtij komisioni, derisa Adem Shabanaj i VV-së ka marrë vetëm 7 vota.

Në vendimin e shkruar, i cili është dërguar në MPL për vlerësim me datën 3 mars 2021, në nenin 1 shkruan se komisioni për vlerësimin ekonomik të ofertave pas mbylljes së ankandit-tenderit, “përbëhet prej pesë anëtarëve, nga Kuvendi i Komunës janë Kastriot Krasniqi, Ilir Baldedaj, dy përfaqësues nga Ekzekutivi i Komunës që do të propozohen me shkrim nga Kryetari i Komunës dhe Bashkim Gashi nga OJQ-të”. Aty është theksuar se kompetencat e këtij komisioni përshkruhen në dispozitat e Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës, dhe se vendimi hyn në fuqi pas aprovimit nga autoriteti mbikëqyrës si dhe publikimit në ueb faqen zyrtare të Komunës së Prizrenit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *