Vrasja e 15-vjeçarit në Prizren, arrestohen dy persona

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në rastin e vrasjes së 15-vjeçarit në Prizren.

Ata dyshohet se e kanë ndihmuar dorasin në fshehjen e dëshmive për këtë ngjarje tragjike. Njëri prej tyre është i moshës 17-vjeçare, derisa tjetri i moshës 18-vjeçare.

Lajmin për arrestimin e tyre e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Drejtorinë Rajonale të Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

“Lidhur me këtë rast, janë arrestuar dy persona, pasi që të njëjtit dyshohet se e kanë ndihmuar dorasin në fshehjen e dëshmive për këtë ngjarje. Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 24 orë”, ka thënë Osmanollaj.

Ndryshe, motivin e zënkës që la të vdekur nxënësin 15-vjeçar nuk po e di ende as familja e as organet e drejtësisë.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit në shkollën e mesme të Mjekësisë, “Luciano Motroni” në Prizren, Shukri Myrtezani, aty ku Lirimi vijonte mësimet, ditën e varrimit tha se 15-vjeçari ishte nxënës i shkëlqyer.

U.D. i drejtorit tha se rasti ka ndodhur dje pasi Lirimi ka përfunduar mësimin, njëherit dita e parë e gjysmëvjetorit të dytë shkollor.

“Është lajm i hidhur që ka ndodhur mes nxënësve të shkollës sonë që ka ndodhur në afërsi të shkollës sonë. I ndjeri ka qenë në mësim dhe pasi ka dalë prej shkollës, me nxënësin tjetër janë taku atje, kështu që pas një zënke aty fatkeqeësisht me një goditje fëmiju ka humbur jetën, këtë informacion e kemi marrë nga Policia e Kosovës”, tha ai për express.

Tutje, Myrtezani tha se fëmijët nuk kanë pasur sjellje arrogante në shkollë, përkundrazi kanë treguar sukses në mësime.

“Fëmijët nuk kanë pas shfaqje arrogante e as sjellje të këqija, dëshmi është numri i mungesave. I ndjeri ka pas 2 mungesa, ndërsa tjetri ka pas 5 mungesa. Kanë qenë të pranuar në këtë institucion me 96-7 pikë, me sukses maksimal. Jemi tronditur edhe ne si shkollë, edhe nxënësit edhe kolegët”, u shpreh ai.

“Dje ishim prezent te familja e nxënësit, nuk kishte fjalë me i përshkru ngushëllimet”, përfundoi ai.


Ndërsa, një familjar i Lirimit, po ashtu pjesëmarrës në varrim, Bislim Berisha, tha se janë të shokur me vdekjen e tij dhe se familja nuk është përmenduar asnjëherë se kanë pasur problem me dikë.


“Shpresoj që merr masa shteti, policia, gjykata. Shpresoj që më të mos ndodhin këso rastesh, ndihemi shumë keq.


Është humbje e madhe…Nuk kam qenë në vendin e ngjarjes, nuk mundem me ditë se çka ka ndodh, por familja ska si të jetë më e mirë, janë njerëz të mirë, familje e mirë, fjalë të këqija nuk kemi dëgjuar kurrë për ta. Probleme s’kanë pas kurrë me askënd”.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prizren, tha se pasi të rinjtë janë përleshur, njëri prej sulmuesve e kishte goditur viktimën me mjet të mprehtë përkatësisht me thikë në pjesën e majtë të gjoksit, e cila ka rezultuar me pasoja fatale për viktimën.
“Nga informacionet fillestare rezulton se në rastin konkret të miturit e përfshirë në përleshje kanë poseduar një armë zjarri dhe dy thika”, njoftoi sot prokuroria

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *