Vrasja në “Kobra City”, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj Dibran Hoxhajt dhe të tjerëve

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër Dibran Hoxha i njohur ndryshe si “Kobra” dhe katër personave të tjerë, lidhur me vrasjen të riut nga Kukësi që kishte ndodhur në janar të vitit të kaluar.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se Hoxha akuzohet për veprën penale ‘’Vrasje e rëndë’’ si dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’. Ndërkohë, të pandehurit R.S dhe B.M. akuzohen për veprën penale ‘’Manipulimi me prova’’, derisa të pandehurit R.S, J.B dhe A.V. akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale ‘’Pjesëmarrja në rrahje’’.

“Po ashtu, të pandehurit R.S dhe J.B akuzohen se e kanë kryer veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim,

Ndryshe, me 3 janar 2023, rreth orës 04:00 pas një përleshjeje të nisur në lokalin e natës “Kobra City”, nga të shtënat me armë zjarri një person mbeti i vrarë, kurse një tjetër ishte plagosur.

“Për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxhaj, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në Spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhej në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *