Zëdhënësja e Aeroporti: Më 1, 2 dhe 3 janar mbi 10 mijë udhëtarë më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit 2023

Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara, ka bërë të ditur se me 1,2 dhe 3 janar në Kosovë kanë ardhur mbi 13 mijë udhëtarë, ndërsa janë nisur nga Kosova 18 mijë e 341 udhëtarë.

Gara, në një përgjigje për Express, ka thënë se në total numri i udhëtarëve që kanë ardhur në Kosovë dhe që janë larguar nga Kosova është 31 mijë e 905.

“13 564 ardhje; 18 341 nisje; 31 905 total”, thuhet në përgjigje.

Gara gjithashtu ka treguar se krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar ka një rritje prej mbi 10 mijë udhëtarëve.

“Nga data 1 janar deri më 3 janar, kanë kaluar dikund rreth 31 mijë udhëtarë vajtje-ardhje. Nëse e krahasojmë të njëjtën periudhë me tri ditët e para të vitit 2023, kemi dikund mbi 10 mijë udhëtarë më shumë se sa vitin e kaluar, mirëpo ky është një trend i cili vazhdimisht ka qenë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke pasur parasysh se çdo vit kemi pasur rritje të numrit të udhëtarëve si në vajtje po ashtu edhe në ardhje”, ka thënë Gara.

Ajo ka përmendur liberalizimin e vizave si një nga arsyet, megithatë ka deklaruar se duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për pikun e sezonit kur janë festat dhe pushimet dimërore.

“Edhe liberalizimi i vizave ka ndikuar në këtë rritje të numrit të udhëtarëve, mirëpo duhet pasur parasysh që tani jemi në periudhën kur pika e sezonit dimëror, jemi në periudhën pas festave ku për festa vijnë shumë bashkatdhetarë që festojnë në familjet e tyre, prandaj është herët që të dalim me një vlerësim të tillë që liberalizimi i vizave ka ndikuar në këtë trend të rritjes”, ka deklaruar Gara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *