104 mijë kosovarë mund të tërheqin vetëm 10 euro nga Tusti
Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike u përmend qysh para gjashtë muajsh, por hapa konkretë për jetësimin e tij, u morën ditën e premte kur pas shumë tentimeve kaloi në Kuvendin e Kosovës.
Ata që kanë para të kursyera në Trust do të mund të aplikojnë për tërheqjen e 10 përqind të mjeteve të kursyera.
Sipas shënimeve zyrtare të Trustit, 104 mijë kosovarë kanë vetëm 100 euro të kursyera, që do të thotë se mund të tërheqin vetëm 10 euro.
Ndërsa, 12 mijë e 944 persona kanë të kursyera mbi 20 mijë euro, 212 mijë e 799 persona kanë nga 100 deri në 1000 euro, 194 mijë e 857 persona kanë nga 1000 deri në 5000 euro.
Në Trust nga 5000 deri 10000 euro i kanë 74 mijë e 99 persona.
Ndërsa, nga 10000 deri 20000 euro në Trust i kanë 40 mijë e 440 persona.
Personat që tërheqin 10përqindëshin e kursimeve nga Trusti e që kanë të kursyera më pak se 10 mijë euro, të rimbursohen nga Qeveria në një fazë të mëvonshme, ndërsa ata që kanë më shumë se 10 mijë euro të kursyera nuk do të rimbursohen.
Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike është dekretuar gjatë ditës së shtunë në zyrën e presidencës, ka konfirmuar për Gazetën Express, Artan Murati, këshilltar i u.d. presidentes Vjosa Osmani.
Ligji pritet të publikohet në kohë rekorde në Gazetën Zyrtare dhe më pas nisin procedurat për tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti.