200 ekipe te KQZ-së në shërbim të personave të infektuar me COVID-19

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke zhvilluar përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. 200 ekipe mobile do të jenë në shërbim të personave të infektuar me COVID-19 në mënyrë që ata të votojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit në 38 komuna të Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thotë se janë duke vazhduar përgatitjet për realizimin e votimit për qytetarët e infektuar me COVID-19, që në ditën e zgjedhjeve nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkak të masave kufizuese, gjegjësisht qëndrimit në karantinë.

Elezi thotë se do të ndjekin praktikën e 29 nëntorit në zgjedhjet lokale të jashtëzakonshme të mbajtura në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut.

 “Po vazhdojmë përgatitjet sa i përket realizimit të votimit edhe për qytetarët të cilët janë të infektuar me COVID-19 dhe që në ditën e zgjedhjeve nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkak të masave kufizuese, duhet të qëndrojnë në karantinë shtëpiake. Natyrisht, procesi mund të jetë sfidues për faktin se bëhet fjalë për 38 komuna të Kosovës, duhet të organizohet votimi edhe për këta qytetarë. Mësimet të cilat i kemi marrë nga komuna e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut do të na shërbejnë shumë në realizimin e shërbimit të votimit edhe për këta qytetarë me të drejtë vote”, thotë ai.

Elezi bën të ditur se KQZ do të angazhojë rreth 200 ekipe mobile në mënyrë që t’ju mundësojë personave të infektuar me COVID-19 për të votuar, nëse këta të fundit shprehin gatishmëri për një gjë të tillë.

“Do të jenë rreth 200 ekipe mobile gjithandej Kosovës, në të gjitha komunat e Republikës të Kosovës, të cilat në ditën e zgjedhjeve, do të shkojnë në adresa të caktuara të këtyre votuesve të cilët janë në karantinë shtëpiake , për t’iu mundësuar votimin përmes ekipeve mobile. Zakonisht ekipet mobile do të përbëhen nga 4 anëtarë. Njëri prej tyre do të jetë nga ekipet shëndetësore me qëllim që të këshillojë profesionalisht anëtarët e ekipit mobil”, thotë ai.

Për të ardhur deri tek momenti i votimit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë listat zyrtare nga institucionet përkatëse, që merren me menaxhimin e pandemisë, në mënyrë që të kontaktojë votuesit e infektuar me COVID-19 për t’i informuar lidhur me dërgimin e ekipeve mobile. Pastaj është në vullnetin e këtyre votuesve që të pranojnë shërbimin nga ana e KQZ-së.

Kjo praktikë është ndjekur edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *