Komuna e Prizrenit i jep tender për vetëdijesimin e nxënësve kompanisë që aktivitet primar ka pastrimin e ndërtesave
Komuna e Prizrenit ka nënshkruar kontratë me kompaninë ‘Samire Osmani B.I’ për ‘Vetëdijesimin e nxënësve të shkollave fillore dhe vozitësve në Komunën e Prizrenit për sjellje në trafik’.
Sipas dosjes së tenderit, Komuna kishte parashikuar të shpenzonte 40 mijë euro për këtë aktivitet të prokurimit, kurse kishte nënshkruar kontratë prej 39 mijë e 950 euro. Pra, 50 euro më pak sesa vlera e parashikuar.
Kjo kompani, të cilës komuna e Prizrenit i ka dhënë tenderin për vetëdijesimin e nxënësve është kompani që ka aktivitet primar dezinfektimin.
Në faqen e regjistrimit të bizneseve, natyra për të cilën i është dhënë tenderi nuk është në asnjërin prej aktiviteteve që kjo kompani i kryen.
Sipas dosjes së tenderit, kjo kompani, në bazë të obligimeve në këtë procedurë të prokurimit do të bënte Përpilimin e planprogramit për fushatën vetëdijesuese për nxënësit e shkollave fillore nga klasa 1 -5, Përpilimi i planprogramit për fushatën vetëdijesuese për nxënësit e shkollave fillore nga klasa 5- 8, Përpilimi i planprogramit broshurave për fushatën vetëdijesuese për ngasësit në trafik, Përpilimi i planprogramit broshurave për fushatën vetëdijesuese për këmbësorët si dhe 11 aktivitete të tjera nëpër shkollat dhe rrugët e qytetit të Prizrenit.
Për këtë tender komuna kishte pasur tri oferta nga: ‘Samire Osmani’ në vlerë prej 39 mijë e 950 euro, kompania Ballon Pacha Project sh.p.k në vlerë prej 24 mijë e 580 euro dhe koncorsiumi Geo Limit L&B sh.p.k & MODEL 5 doo dhe Sfinga sh.p.k në vlerë prej 24 mijë e 200 euro.
Pra, kompania me ofertën më të shtrenjtë është zgjedhur fituese për këtë tender kurse oferta e dy kompanive të tjera është refuzuar për shkak se komuna i kishte shpallur të papërgjegjshme sepse nuk kishin plotësuar kriteret e kërkuara në tender.
Më pas, koncorsiumi Geo Limit L&B sh.p.k & MODEL 5 doo dhe Sfinga sh.p.k ishin ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit kundër vendimit për dhënie të tenderit për kompaninë. Ky organ kishte refuzuar ankesën e këtij operatori ekonomik me arsyetimin se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për shkak se bordi ka qenë jofunksional.
Kjo kompani (Samire Osmani B.I) ka aktivitet primar pastrimin e përgjithshëm të ndërtesave, kurse aktivitete e tjera të kompanisë lidhen kryesisht me pastrim, shërbime të tregtisë, sharrimeve të drurit, prodhimeve të sapunit e detergjentëve, prodhimit të mobileve, prodhimit të veshjeve të punës, aktivitete të këshillimit për kontabilitet, përkthim, interpretim e të ngjashme.Sipas hulumtimeve të KALLXO.com, kompania ‘Samire Osmani B.I’ kryesisht ka fituar tenderë për shërbime dezinfektimi por edhe për vetëdijesimin e nxënësve.
Pavarësisht se tenderët e fituar nga kjo kompani në Komunën e Prizrenit, nuk kanë të bëjnë me dezinfektim apo pastrim, edhe vitin e kaluar e njëjta komunë i kishte dhënë tender të njëjtës për vetëdijesim në trafik për nxënësit e kësaj komune.Në muajin maj të vitit 2021, Komuna e Prizrenit dhe kjo kompani kishin nënshkruar kontratën ‘Vetëdijesimin e nxënësve të shkollave fillore dhe vozitësve në Komunën e Prizrenit për sjellje në trafik’ në vlerë prej 38 mijë e 200 euro.
KALLXO.com ka kërkuar informacione në komunë se a e kanë shikuar veprimtarinë e kompanisë fituese para dhënies së tenderit afro 40 mijë eurosh. Komuna ka deklaruar se nuk ekziston kod i veçantë te kompanitë për fushatë vetëdijesuese dhe se kompania ka sjellë referenca për punën e kryer të kësaj natyre.“Kriter në Dosje të Tenderit ka qenë që Operatori Ekonomik të sjellë dëshmi të kënaqshme Autoritet Kontraktues se OE të dëshmojë se ka kryer shërbime të ngjashme në fushën e Vetëdijesimit dhe si dëshmi është kërkuar Referenca të kësaj natyre.
OE fitues ka sjellë së paku 2 Referenca në këtë fushë ku i ka dëshmuar me Kontrata dhe transaksione bankare në vlerën e kërkuar. Po ashtu ju informoj se në ARBK si aktivitet të veçantë nuk ekziston kodi për Fushatë vetëdijesuese mirëpo edhe përkundër kësaj OE ka kod për shërbime të ngjashme në aktivitetin e biznesit të tij”- thuhet në përgjigjen e komunës për KALLXO.com.Tutje, komuna në përgjigjen e tyre kanë deklaruar se eksperti i Organit Shqyrtues të Prokurimit ka hedhur poshtë ankesat e kompanisë Geo Limit L&B sh.p.k janë të pabazuara për shkak se nuk i kishte plotësuar shumicën e kritereve në konkurs.“Vlerësimi nga Autoriteti Kontraktues është bërë në mënyrën më profesionale të mundshme me çka edhe eksperti i OSHP-së në ankesën e parashtruar nga Grupi i Operatoreve tjerë ka konstatuar që ankesa e tij në asnjë pikë nuk është e bazuar”, thuhet në përgjigjen e komunës.
Eksperti i OShP-së kishte rekomanduar rrëzimin e ankesës së kompanisë Geo Limit L&B sh.p.k pasi të njëjtës kompani i mungojnë llogaritjet e sakta në bazë të paramasave dhe se nuk kishte dorëzuar asnjë referencë për punët e kryera të natyrës së tenderit.KALLXO.com ka kontaktuar kompaninë në lidhje me aktivitetet e kryera dhe e njëjta na ka udhëzuar që ato dokumente duhet t’i kërkojmë në Komunën e Prizrenit për shkak se kanë mungesë stafi dhe nuk mund të na dërgojnë.Kompania gjithashtu ka thënë se për tenderin e dytë të fituar nga Komuna e Prizrenit ende nuk ka filluar punën sepse komuna ende nuk ka pasur asnjë kërkesë ndaj kompanisë.
“Aktivitetet që kemi kryer janë të evidentuara përmes situacioneve, faturave si dhe raportet që janë dorëzuar në mënyre të rregullt në Autoritetin kontraktues për tenderin e parë që kemi realizuar kurse sa i përket kontratës së dytë ne si operator ekonomik ende nuk kemi filluar me zbatimin e saj, kjo për shkaqe që ende s’kemi marrë ndonjë kërkesë nga Autoriteti Kontraktues për realizimin e kontratës”, thuhet në përgjigjen e kompanisë fituese.Po ashtu kompania ka shtuar se gjatë punës punesojnë njerëz të specializuar në tenderët e fituar dhe se nuk janë kompani e specializuar vetën në fushën e pastrimit.
“Sa i përket pyetjes së fundit me siguri jeni keqinformuar ose nuk keni pasur informatat e plota ne nuk jemi kompani e specializuar veten në fushat e pastrimit, mund të ju bashkëngjisim certifikatën me kodet e lejuara të punës të lëshuar nga ABRK. Në komunën e Prizrenit për kontratën e parë kemi aplikuar si koncorsium kompanish me njërën ndër kompanitë më prestigjioze në vend në fushat e konsulencës, trajnimeve D&D Business Support Center LLC.
Në të gjitha projektet që marr pjesë në këtë fushë angazhojnë njerëz profesional dhe me specifika të veçanta varësisht nga trajtimi i temës që bëjmë”, thuhet më tej në përgjigjen e kompanisë për KALLXO.com.Komuna e Prizrenit edhe në të kaluarën u kishte dhënë tenderë kompanive të pakualifikuara për natyrën e tenderit.Në vitin 2020, kjo komunë i kishte dhënë tender 20 mijë eurosh për sensibilizimin e qytetarëve për pandeminë, kompanisë që aktivitet primar ka pasur tregtinë me pjesë të automjeteve.