Tërheqja e 30 përqindëshit të Trustit, nga java e ardhshme në Kuvend
Nga java e ardhshme, Projektligji për Trustin do të shkojë në Kuvend, me apo pa mendimin e Qeverisë së Kosovës.
Kështu tha për Klankosova.tv deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili është një nga iniciuesit kryesorë të këtij projektligji.
“Me apo pa mendim të Qeverisë, Projektligji për Trustin, nga java e ardhshme hyn në procedurë parlamentare në Kuvend. Të hënën duhet të iu shpërndahet deputetëve dhe pastaj të trajtohet nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Peticione edhe të vijë për votim në Kuvend”, tha Haxhiu.
Herën e parë, në muajin qershor të këtij viti, Projektligji që do t’ua mundësonte qytetarëve tërheqjen e 30 përqindëshit të mjeteve të tyre të grumbulluar në Fondin Pensional nuk kaloi.
Kjo ishte kundërshtuar nga ana e Qeverisë por edhe nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Mirëpo, iniciuesit e këtij projektligji nuk u dorëzuan. Përpjekja e dytë për kalim po bëhet përmes nënshkrimit të peticioneve nga ana e qytetarëve.
Mbi 17 mijë nënshkrimet që u mblodhën për tetë ditë u njohën si të rregullta nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Adnan Jashari, i cili është iniciator për mbledhjen e nënshkrimeve nga qytetarët, tha për Klankosova.tv se nuk e di se si do të jetë përgjigja e Qeverisë.
Ai tha se ekzekutivi sikurse herën e kaluar përgjigjen po e lë në ditën e fundit.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka afat deri të premten për të dhënë një përgjigje, e që shpreson që të jetë pozitive.
“Deri të premten ka afat Qeveria për të dhënë përgjigje. Ne jemi në pritje të saj, nuk kemi informacion se si do të jetë përgjigja, shpresojmë të jetë pozitive. [Qeveria] Po vonohet në kthim të përgjigjes sikurse herën e kaluar. Po lihet dita e fundit e afatit ligjor”, tha Jashari.
Iniciuesi shtoi se gjendja ekonomike e qytetarëve është e rëndë dhe se mezi po presin që ky Projektligj të votohet pro.
“Fatkeqësisht qytetarët janë në gjendje të rëndë, në borxhe dhe nuk po mund të presin, nuk po i durojnë vonesat. Çdo ditë po marr mesazhe nga qytetarë të ndryshëm, mezi nuk presin të dalë në votim dhe të votohet pro, që t’i tërheqin kursimet e tyre dhe që sadopak ta lehtësojnë krizën”, tha ai për Klankosova.tv
Klankosova.tv ka pyetur edhe në Zyrën e Kryeministrit lidhur me opinionin për Projektligjin e Trustit, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje. /Klankosova.tv.