Shteti braktis e lë pa rojë prej Kalasë së Prizrenit deri te “Ulpiana”

Janë së paku 70 marrëveshje për shërbime të veçanta, të cilat kanë skaduar e për zëvendësimin e punonjësve nuk ka zgjidhje. Si pasojë, Kalaja e Prizrenit, parku arkeologjik “Ulpiana” s’kanë as staf e as rojë. Rojat e Muzeut Kombëtar të Kosovës e vazhdojnë punën vullnetarisht, siç bën edhe njëri punonjës në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova”. Në rrëmujën e mosvazhdimit të kontratave të përkohshme janë edhe shumë institucione të tjera, si Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Lidhja Shqiptare e Prizrenit e disa punonjës të qendrave rajonale të trashëgimisë kulturore.

Shteti i Kosovës ka investuar më shumë se një milion euro për ta bërë një pjesë të lokalitetit arkeologjik të Ulpianës Park Arkeologjik. Por, janë bërë më shumë se dy muaj prejse dora e shtetit nuk vërehet fare në këtë park, krejt afër Prishtinës. Mirëmbajtja nuk ekziston të paktën prej fundit të shtatorit. Nuk ka madje as rojë gjatë ditës e as gjatë natës. Arsyeja: mosvazhdimi i marrëveshjeve për shërbime të veçanta për 6 të angazhuarit si staf në “Ulpianë”.

I njëjti rrëfim është edhe për Kalanë e Prizrenit ku janë investuar mbi një milion euro të buxhetit të Kosovës dhe nga donacionet ndërkombëtare, përfshirë 700 mijë dollarë të Fondit të Ambasadorit, ndarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kalaja bashkë me muzeun brenda saj janë të mbyllura, pos në rastet kur paralajmërohen vizita nga delegacionet.

Muzetë pa staf, rojë me vullnetarë

Rojtarët e Muzeut Kombëtar të Kosovës – ku ruhen artefaktet më të rëndësishme të vendit – janë duke dalë në punë vullnetarisht për të ruajtur institucionin dhe me shpresë që do t’u vazhdohen kontratat. Ashtu bën edhe stafi i muzeut “Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova”. Pa paga për më shumë se dy muaj është edhe stafi i rezidencës së presidentit Ibrahim Rugova në “Velani”. Një pjesë e shtëpisë së Rugovës ishte marrë nën mbrojtje nga shteti më 2016 duke pretenduar për ta hapur për vizitorë.

Në rrëmujën e mosvazhdimit të kontratave të përkohshme janë edhe shumë institucione të tjera, si Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Lidhja Shqiptare e Prizrenit e disa punonjës të qendrave rajonale të trashëgimisë kulturore.

Arkeologu Shafi Gashi ka udhëhequr punimet në Kalanë e Prizrenit për disa vjet. Po ashtu ka udhëhequr punimet që brenda Kalasë të paraqiten artefaktet më të rëndësishme që janë gjetur aty e në regjion. Për të është e pashpjegueshme se si një pasuri e tillë e trashëgimisë kulturore ka mbetur madje edhe pa rojë.

“Nëse bëjmë krahasime, kjo është sikurse të mos ketë rojë ta zëmë, Banka Qendrore e Kosovës”, ka thënë ai.

Në dhjetor të vitit 2020 ishte miratuar Plani i Menaxhimit të Kalasë së Prizrenit. Sipas Planit, ky aset i trashëgimisë kulturore duhet të ketë 16 punonjës. Për ironi, prej korrikut të këtij viti Ministria e Kulturës ka emëruar edhe njësinë menaxhuese për Kalanë.

Gashi ka treguar se kanë qenë pesë veta në staf, përfshirë rojtarët e natës. Dy prej tyre e kanë lëshuar punën prej janarit. E tre të tjerëve nuk u janë vazhduar marrëveshjet për shërbime të veçanta.

Kalaja tre vjet pa para, tash edhe pa punonjës

“Asnjë njeri s’e kemi të angazhuar aktualisht në Kala. Janë dy studentë që dalin vullnetarisht. E hapin kur ka ndonjë vizitë të paralajmëruar”, ka treguar Shafi Gashi. Ka thënë se aty gjenden artefakte e material arkeologjik që janë gjetur prej vitit 2002 e më pas.

“Ka katër vjet që adresoj shkresa për mungesë sigurie dhe tash jemi në këtë gjendje”, ka thënë Gashi. Krejt këtë e ka quajtur “papërgjegjësi ekstreme institucionale”.

“Çdo veprim që merret duhet të krijohet në baza ligjore. Të heqim diçka duhet zëvendësuar me diçka tjetër. Prej vitit 2019, Kalaja është me zero euro. Tash nuk ka as punonjës”, ka thënë Gashi. Ka përmendur faktin se edhe shumë lokalitete të tjera arkeologjike kanë mbetur pa mirëmbajtje.

“Institucioni është bashkëpërgjegjës në përshpejtimin e shkatërrimin e monumentit. Të gërmosh e të mos e mirëmbash do të thotë të presësh që të shkatërrohen”, ka thënë Gashi.

Parkut arkeologjik “Ulpiana” i është prerë shiriti në vjeshtën e vitit 2016. Por, kurrë nuk është kompletuar si i tillë.

I vetmi park arkeologjik, larg objektivave në letër

Qysh para inaugurimit, Instituti Arkeologjik i Kosovës ishte pajisur me leje për sjelljen e energjisë elektrike në lokalitet, por praktikisht puna për të nuk ka nisur ende. Pos kësaj, pas shpalljes së lokalitetit Park Arkeologjik nuk ka ciceron e as udhëheqës. Kishte mbetur në vullnetin e të angazhuarve që të japin ndonjë shpjegim për vizitorët. Për delegacione kujdeset udhëheqësi i punimeve, arkeologu Milot Berisha. Bashkë me dy rojtarë, llogaritet që Parku duhet të ketë shtatë punonjës të përhershëm. Ajo që, sipas projektit quhet kafe “Ulpiana”, dhe një dyqan ku turistët mund të blejnë botime për lokalitetin e kopje artefaktesh, nuk janë bërë ende. Bile ende nuk është zgjidhur as çështja e pagesës për ta vizituar Parkun.

Gjithçka ngjan me një institucion të braktisur që ka mbetur nën vullnetin e Institutit Arkeologjik të Kosovës, megjithëse “Ulpiana” zyrtarisht është nën menaxhimin e MKRS-së.

Plani i menaxhimit ishte paraparë të përfundonte gjashtë muaj pas shpalljes së lokalitetit Park Arkeologjik. Ky dokument nuk është miratuar ende. Gjashtë punonjësit e angazhuar prej fundit të shtatorit nuk kanë kontrata. Për 24 orë parku është pa rojë.

MKRS-ja këtë lokalitet e ka adresë për marketing të vetes e edhe të shtetit kur pret delegacione të huaja. Në tetor të këtij viti në Kosovë ka qëndruar ministrja greke e Kulturës, Lina Mendoni, e shoqëruar nga zyrtarë të lartë të institucionit që ajo udhëheq. MKRS-ja e ka dërguar në “Ulpianë” për vizitë. Delegacioni grek ka parë se si strukturat e shekujve të parë të erës sonë nuk janë mirëmbajtur si duhet. Kanë hasur edhe në tualete të papastruara.

Arkeologu Milot Berisha, i cili ka udhëhequr punimet për shndërrimin e një pjese të lokalitetit në Park Arkeologjik, ka thënë se Parku ka nevojë urgjente për punonjës e mirëmbajtje.

“Hapësira duhet pastruar, strukturat duhet mirëmbajtur e roja duhet të jetë aty për shkak të sigurisë”, ka thënë Berisha. Rreth tre hektarë ku shtrihet Parku janë prona private të banorëve të zonës. Vazhdimisht janë vonuar edhe pagesat e kontratave që lidhen në baza vjetore me pronarët.

KOHA ka pyetur Ministrinë e Kulturës se përse nuk janë vazhduar MShV-të, si planifikohet të plotësohen këto pozita dhe a paraqet rrezik për këto monumente që nuk kanë as rojë. Ulpiana e Kalaja e Prizrenit janë nën mbrojtje të përhershme nga shteti si monumente.

Por, MKRS-ja ka dhënë përgjigje krejt sipërfaqësore.

“Aktualisht në procedurë të prokurimit është shpallur thirrja për plotësim të pozitave që mungojnë për disa institucione vartëse të MKRS-së, kurse pritet që të shpallen edhe pozitat e tjera që vlerësohen të nevojshme”, shkruhet në përgjigje.

Shumë institucione kanë mbetur në vullnet të ish të të angazhuarve. Në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, aty ku midis të tjerash takohen edhe Qeveria e Kosovës me atë të Shqipërisë, punonjësit janë duke dalë vullnetarisht. Njëjtë edhe te “Hidroelektrana” në Prizren. Madje në kompleksin e Lidhjes është investuar në restaurim e është duke u rikonceptuar edhe ekspozita.

KOHA ka marrë vesh se në përgjithësi janë mbi 70 veta të cilëve nuk u janë vazhduar MShV-të.

E, MKRS-ja nuk ka dhënë zgjidhje. KOHA po ashtu ka marrë vesh se brenda MKRS-së është duke u diskutuar mundësia që të hapet thirrje e nëpërmjet një tenderi të angazhohet një kompani që do të merrte përsipër kujdesin ndaj këtyre institucioneve. Por, në një rast të tillë telashet do të ishin të mëdha. Sidomos në “Ulpianë”, ku disa prej atyre që u janë marrë tokat me qira për gërmime ishin punonjës po aty./koha.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *