Punësimi i vajzës së axhës së Haskukës, ish-këshilltari ia kujton Kurtit deklaratën për punësimet familjare
Ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Shkëlzen Gashi, ka reaguar pasi Mytaher Haskuka, e pranoi dje se vajza e axhës së tij është e punësuar në Komunën e Prizrenit.
Gashi ia ka kujtuar kryeministrit Albin Kurti deklaratën e tij për punësimet familjare.
Kurti gjatë fushatës zgjedhore, kishte thënë se kusherinjtë e familjarët janë për dasma.
Ndryshe, Haskuka e ka pranuar se një familjare e tij është e punësuar në komunën që ai udhëheq. Bëhet fjalë për vajzën e axhës së tij.
Ai është munduar ta arsyetojë punësimin e saj, duke thënë se kjo është e mundur edhe statistikisht.
“Nëse e shikojmë numrin e punësimeve në arsim, në shëndetësi dhe në të gjithë sektorët, atëherë statistikisht është e mundur. Po, ajo punon. Ajo ka qenë si praktikante, por pastaj ka vazhduar punën e rregullt. Ka qenë konkursi për në financa”, ka thënë Haskuka në 038 të KTV.
Partia e Haskukës, Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi ka kritikuar partitë e tjera që kanë qenë në pushtet se kanë bërë punësime në baza familjare.
Postimi i plotë:
“Kushërinjtë janë për shtëpi. Familja është te shpija. Kur të bahet ministër, zëvendësministër, deputet apo drejtor apo edhe në komunë nesër pasnesër, duhet me u ba veç ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat” – Albin Kurti.