Totaj: VV në Prizren, dështon përsëri të kualifikohet për grantin e performancës komunale
Partia Demokratike e Kosovës Dega në Prizren, e konsideron zhgënjyes, të pa pranueshëm, të padinjitetshëm dhe turpërues mos kualifikimin e Prizrenit, për të qenë përfitues të grantit të performancës komunale.
Komuna e Prizrenit, në vazhdën e dështimeve, dështon përsëri. Dështon të përmbushë kriteret për të qenë në konkurencë për të përfituar grantin e performancës komunale.
Në raportin e rivlerësimit të performancës për grantin e performancës komunale për vitin fiskal 2021, të publikuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal shkruan se “Komuna e Prizrenit nuk është kualifikuar për grantin e performancës komunale për vitin 2021”.
Komuna e Prizrenit ka dështuar të plotësoj kushtin minimal numër 2 (Komunat duhet të kenë respektuar obligimet ligjore për t’i rishikuar aktet komunale të vlerësuara si të kundërligjshme nga organet mbikqyrëse) dhe kushti minimal numër 4 (Shkalla e shpenzimeve të buxhetit për investime kapitale për vitin 2019 duhet të ishte së paku 75%).
Nga 29 indikatorët vlerësues, Komuna e Prizrenit ka arritur të ketë 40 pikë nga gjithsej 96 pikë të mundshme, as gjysmën e pikëve totale.
Qeverisje e turpit në Prizren është vazhdimisht duke dëshmuar me autogola se ata nuk e kanë merituar fitoren para 4 viteve. Janë të paaftë, nuk janë kompetent për të shtyrë projektet para, nuk kanë kuadro dhe mbi të gjitha nuk kanë dëshirë, vullnet politik dhe as guxim të qeverisin me Prizrenin.