MSH: Më 15 qershor fillon vaksinimi masiv, janë angazhuar 279 ekipe
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se nga data 15 qershor 2021, në vendin tonë fillon procesi i vaksinimit në masë kundër COVID-19, bazuar në Planin e Vepimit për vaksinimin e qytetarëve në masë me vaksinën kundër COVID-19.
Në të njëjtën kohë, Ministria i ka lutur qytetarët që me qëllim të shmangies së çfarëdo situate të panevojshme, në qendrat e vaksinimit të drejtohen vetëm ata qytetarë, të cilët marrin thirrjen (njoftimin) për vaksinim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, sipas termineve të caktuara përmes platformës eKosova.
“Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit të vaksinimit, Ministria, në bashkëpunim me komunat, ka krijuar hapësira të reja për vaksinim; ka shtuar kapacitetet humane duke organizuar 279 ekipe të vaksinimit në nivel vendi; ka ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim që procesi i vaksinimit në masë të fillojë dhe qytetetarët të vaksinohen sipas kategorive të përcaktuara në Planin Shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19 dhe kategorive të përcaktuara në tre fazat e këtij plani”, thuhet nga MSH.
Sipas MSH’së, aktualisht, janë duke u vaksinuar kategoria e personave mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje kronike, pa dallim moshe.
“MSh dëshiron të informojë, gjithashtu, se gjatë të gjitha fazave të vaksinimit, punonjësit shëndetësor e kanë pasur dhe e kanë të hapur mundësinë e vaksinimit; ndërsa krahas kategorive mbi 65 vjeç, deri tani janë vaksinuar edhe persona e hemodializës, personat me diabet, persona me sëmundje malinje si dhe persona me sëmundje të tjera kronike, pavarësisht moshës së tyre, gjithashtu”, thuhet tutje nga kjo ministri.
Ministria e Shëndetësisë, u bën thirrje edhe një herë qytetarëve që të ndjekin udhëzimet e Ministrisë rreth vaksinimit, të regjistrohen dhe të aplikojnë për vaksinim kundër COVID-19 në platformën eKosova, ku aplikimi është thjeshtëzuar dhe një person mund të regjistrojë deri në 5 persona të tjerë.
Po ashtu, kërkohet që pas marrjes së njoftimit për vaksinim, secili qytetar të vaksinohet në lokacionin, sipas vendbanimit të tij.