Zemaj paralajmëron mbylljen edhe të komunave tjera nëse rritet numri i infeksioneve
Masat e reja për të ndaluar të gjitha hyrjet dhe daljet në Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Gjilan, Gjakovë, Podujevë dhe Shtime, po respektohet.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili përmes një postimi në Facebook, falënderoi Policinë e Kosovës për përkushtimin e madh. Ai tha se nëse vazhdon trendi i rritjes së rasteve të reja në komunat të tjera, edhe ato do të mbyllen.
“Në zbatimin e rreptë të masave janë edhe Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale dhe shtabet komunale për zbatimin e Ligjit anti COVID-19, Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19”, shkroi Zemaj.
Ai tha se bashkë me IKSHPK-në po përcjellin me vëmendje situatën epidemiologjike.