PDK, dega Prizren: Shprehja “rrugaçe” e Kryetarit në ikje Haskuka ndaj kuvendares tonë është fyese dhe e papranueshme
Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, e konsideron të papranueshme gjuhën përçmuese e fyese të përdorur nga kryetari në ikje i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ndaj kuvendares tonë, Sherife Balaj.
Shprehja e përdorur e Haskukës në sallën plenare “rrugaçe” është fyese në rend të parë ndaj një kolegeje të Kuvendit Komunal, por mbi të gjitha e përdorur ndaj një kandidate femër e cila edhe në bazë të shumë monitorimeve të organizatave jo qeveritare është vlerësuar si kuvendarja më aktive.
Ne e dënojmë fuqishëm si subjekt politik këtë veprim sepse më së paku kjo duhet të jetë gjuha parlamentare e një kryetari i cili u lëshua në fyerja pas fjalimit të Balajt që po kritikonte komunën për anashkalimin nga investimet e rajonit të Hasit.
Arroganca, fyerjet dhe akuzat e një kryetari në ikje që është udhëhequr për katër vite nga një grup i ngushtë i njerëzve, flasin më shumë për karakterin e tij dhe mbi të gjitha frikën nga humbja që po e pret këto ditë.
Ne jemi duke konsultuar edhe me ekspertët ligjorë për të ushtruar padi për fyerje dhe dëmtim të personalitetit publik të kuvendares tonë, Sherife Balaj.
Ftojmë edhe partitë e tjera politike, aktivistet gra e shoqërinë civile që ta dënojnë këtë gjuhë fyese të përdorur në sallën e Kuvendit Komunal.