Dodë Gjergji: Le ta duam vendin tonë
Ipeshkvi Dodë Gjergji në meshën solemne për Krishtlindjen, ka thënë se duhet ta duam vendin tonë, jetën dhe të ardhmen, pasi frika, pasiguria dhe zhgënjimi, si një virus po na bren përbrenda, derisa ka kritikuar deputetët që siç tha për turpin e tyre dhe për të fyer të gjithë, miratuan sonte ligjin për abortin.
Dodë Gjerigji në meshën solemne të Krishtlindje të organizuar nga Ipeshkvia e Kosovës, e cila u mbajt në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, në Prishtinë, dha mesazhe për mirësinë, afërsinë dhe solidaritetin.
Ipeshkvi Dodë Gjergji tha se Krishtlindjet janë festa e gëzimit dhe haresë, derisa shtoi se me Krishtin mund të jetojmë me shpresën që nuk na zhgënjen kurrë.
Gjergji: Frika, pasiguria dhe zhgënjimi, si një virus po na bren përbrenda
“Në vendin tonë, në zemrat e shumë njerëzve dyshimi, dëshpërimi dhe pashpresia kanë krijuar një hapësirë të madhe boshllëku, ku frika, pasiguria dhe zhgënjimi, si një virus po na breng përbrenda. Si pasojë të rinjtë tanë shohin të ardhmen e tyre diku tjetër ku duan të sigurojnë jetën më të mirë për vete dhe të gjejnë një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Në familjet tona ka përditë e më pak dashuri, harmoni dhe mirëkuptim sepse vendin e tyre e ka zënë mosmarrëveshja, dyshimi dhe keqkuptimi. Që është më e tmerrshmja divorcimi është bërë zgjidhje e besnikëria martesore problem. Mjerisht edhe vendimet fatale të individëve që bëjnë vrasje ose vetëvrasje. Në këtë situatë nuk është e mundur që mos të pyesim veten si është e mundur që kur nuk ishim e kur nuk kishim nuk na mungonte shpresa, feja dhe dashuria. Kurse, tani kur jemi dhe kur kemi ndoshta jo të gjitha të mirat që na duhen, por të gjitha gjërat që na mungonin dikur jemi mbet pa shpresë, pa lumturi dhe nuk po dimë t’i gëzojmë të mirat të arritura me mund të gjeneratave“, tha Gjergji, duke thënë se përgjigjen e dhëna nuk e kanë mbushur zbrazëtirën që kanë lënë pashpresia për vetën dhe në zemrat tona.
Gjergji: Nuk mungojnë edhe ata që nëpërmjet ekstremizmit fetar duan të na tjetërsojnë
“Dikush mendon që është politika ajo që na ka vjedhur të ardhmen dhe na ka lënë pa shpresë, do të tjerë vazhdojnë të këmbëngulin që është Qeveria që nuk arrin t’i kryen përgjegjësitë e veta, pastaj do të tjerë fajin ia lënë Evropës që na mban të izoluar pa viza dhe me yll në ballë sikur do t’i thoshte populli i fusnotës, pastaj janë edhe ata që thonë se nëse ka pas dikur profiter lufte, sot nuk mungojnë profiterët e shpresës….nuk janë të paktë edhe ata që na paaftësia për të parë rrugët e reja të prosperitetit e lidhin shpresën me shpirtin lakmiçar, laraman ose vetëmohues, duke na servirur kthimin në të kaluarën sikur ajo neotomane, që nxisin akoma ndonjë nostalgji për komonizimin ose ofrojnë një neo-jugosllavizëm si rrugë që duhet ndjekur. Sigurisht nuk mungojnë edhe ata që nëpërmjet ekstremizmit fetar duan të na tjetërsojnë. Hiq më pak janë ata të cilët nëpërmjet liberalizmit ekstrem promovojnë shthurjen e sistemit të vlerave humane, morale, familjare dhe fetare, duke na sugjeruar drejt hiqit të pakuptimtë “, tha Gjergji.
Ai tha se këta të fundit propozojnë të mos njohim fe dhe të mos themi nënë, babë, krishtlindje.
Gjergji: Për turpin e tyre dhe për të fyer ndoshta të gjithë neve, parlamenti sot miratoi ligjin për abortin
“Që është edhe më e trishtueshme, miratojnë ndërprerjen e jetës së fëmijëve të palindur dhe këtë akt e quajnë të drejt. Por lere që e quajnë të drejt por për turpin e tyre dhe për të fyer ndoshta edhe të gjithë neve, parlamenti ynë e gjeti bash sonte që ta miratonte ligjin për abortin, megjithatë ne nuk e humbim shpresën tonë dhe këmbëngulim që të jemi ata të cilët besojnë dhe shpresojnë dhe që i binden fesë, që e duan jetën“, tha Gjergji.
Ipeshkvi Dodë Gjergji në fund tha se duhet ta duam vendin tonë, ta duam jetën dhe të ardhmen tonë.
Gjergji: Le ta duam vendin tonë
“Të gjithë ne zëmërthyerit të gjejmë mishërimin dhe të rrisim shpresën, pasi ne jemi njerëz të kësaj kohe, ne jemi njerëz të këtij vendi. Le ta duam vendin tonë, le ta duam jetën tonë, le ta duam të ardhmen tonë dhe mos të mos hezitojmë për të sakrifikuar sepse vetëm frikacakët ikin nga realiteti”, tha ai, duke shtuar se trimat përballen me realitetin e vet, si dhe vendit të tyre.