Afër 12 mijë raste të vjedhjeve brenda 3 vitesh në Kosovë

Numri i rasteve të vjedhjeve për tri vjetët e fundit ka shënuar rritje sipas statistikave nga Policia e Kosovës. Në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online nga Zyra për Informim kanë konfirmuar se kanë ndodhur 11 mijë e 759 vjedhje në mbarë vendin. Ndërsa ka pasur gjithsej 862 tentativa për vjedhje.

Njohësi i sigurisë, Avni Islami ka thënë se numër kaq i madh i vjedhjeve po ndodh ngase Policia e Kosovës nuk po arrin me kohë në vendin e ngjarjes.

Sipas tij, një nga arsyet e vonesës së Policisë është mungesa e logjistikës dhe automjeteve sidomos në qytetet jashtë Prishtinës.

“Kemi parë në përfundim të vitit të kaluar edhe në fillim të këtij viti rastet e vjedhjes dhe të plaçkitjes me armë zjarri, ku në të shumtën e rasteve kanë kaluar me lëndime trupore, e për fat të mirë nuk kemi pasur raste të vdekjes. Mënyra e kryerjes së veprave penale të plaçkitjes çoftë të shtëpive private apo bizneseve afariste vërehet një profesionalizëm i vjedhësve, atyre që janë duke i kryer këto vepra penale dhe mënyra e kryerjes dhe shpejtësia e kryerjes është jashtëzakonisht e madhe dhe në këtë rast Policia e Kosovës nuk po arrijnë në kohën e duhur dhe në shpejtësinë e duhur. Mendoj se Policia e Kosovës duhet ta marrë më seriozisht dhe të ngrejë dilemat e veta dhe t’i analizojë arsyet”, ka thënë ai.

“Një nga arsyet është mungesa e logjistikës dhe automjeteve ku sidomos në qytetet e tjera jashtë Prishtinës duket se ka mungesë të automjeteve dhe se e vetmja arsye që mund të jetë është kjo pse nuk po arrijnë me kohë Policia në vendin e ngjarjes”, ka shtuar Islami.

Ai ka thesuar se vjedhjet po kryhen nga persona të moshës së re, duke filluar nga 16 deri në 24 vjeç, për shkak të gjendjes sociale dhe papunësisë sidomos gjatë pandemisë.

Ndërsa për parandalimin e kësaj dukurie Islami ka thënë se Kosovës i duhet zhvillim i hovshëm ekonomik në mënyrë që rinia mos të merren me dukuri negative.

“Kemi parë që vjedhjet të cilat po kryhen pra janë të moshës së re, duke filluar nga 16-17 vjeç deri në 24 vjeç. Pra një gjeneratë e paprespektivë që nuk gjen mënyrë dhe mjete që ta bëjë një jetë normale. Një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në rritjen e vjedhjeve dhe plaçkitjeve është gjendja e rëndë ekonomiko-sociale. Faktor kryesorë është faktori socio-ekonomik që të rinjtë tanë nuk po mund ta gjejnë vetën qoftë në sporte, qoftë në vendet rekreative për shkak të mungesës së mjeteve”, është shprehur Islami.

“Vitet e mëparshme kemi pasur raste ku gjatë vjedhjeve të ndryshme kanë ndodhur edhe vrasje e plagosje por edhe lëndime të rënda trupore. Që nga fillimi i pandemisë gjendja ekonomike është rënduar dhe pastaj edhe një kohë të caktuar kur kemi pasur edhe kufizime të lëvizjeve të njerëzve, ka ndikuar që njerëzit të ndikohen emocionalisht, në aspektin edhe psikologjik dhe kësisoj janë të traumatizuar, dhe kur kësaj i shtohet edhe aspekti ekonomiko-social atëherë njerëzit kalojnë edhe në vepra të tilla penale. Duhet të kemi një zhvillim të hovshëm ekonomik në mënyrë që rinia jonë të mos merret me punë siç janë plaçkitjet dhe vjedhjet, pastaj edhe punë të tjera si kontrabanda me armë, përdorimi i drogës, shitja dhe posedimi i tyre”, ka thënë ai./EO

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *