Afër pesë mijë qytetarë vitin e kaluar kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës
Afër 5 mijë qytetarë të Kosovës kanë hequr dorë nga shtetësia vitin e kaluar. Kjo ndodhë për shkak se në shumicën e shtete evropiane nuk lejohet dyshtetësia. Ndërsa rreth 570 persona kanë kërkuar azil në Kosovë, ndryshe nga viti 2020 që ishin rreth 1500 persona që kërkuan azil në vendin tonë.
Drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, Liridon Neziri tregon se numri më i madh i personave që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës janë nga Gjermania dhe se sipas tij vetëm Franca dhe Zvicra nuk obligojnë lirimin nga shtetësia e Kosovës.
“Për vitin 2021 kemi mbi 5 mijë persona që kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës. Arsyeja e heqjes dorë nga shtetësia është pasi që disa vende nga Bashkimi Evropian nuk lejojnë dy nënshtetësi për shtetasit nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian duke pasur parasysh që ne kemi një numër të madh të emigracionit, pra shtetasit tanë të cilët kanë emigrua me vite…
Tashmë ata janë integruar dhe kërkesa e tyre është ose kërkesë e këtyre shteteve është të heqin dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës apo prej nga shtetësia prej nga vinë në mënyrë që ata të mund të fitojnë shtetësinë e atij vendi… Kemi të bëjmë më moshat e reja pasi që numri më i madh i atyre që tashmë heqin dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë edhe të lindur në këto vendet e Bashkimit Evropian”, thotë Neziri.
Në Kosovë ka edhe persona që kërkojnë azil. Sipas Nezirit numri i azilkërkueseve është më i vogël në vitin 2021 në krahasim me vitin 2020.
“Në krahasim me vitin 2020 në vitin 2021 ka qenë vit që jemi përballur me numër më të vogël sa i përket azil kërkueseve. Sigurisht që viti 2020 ka qenë si pasojë e pandemisë dhe mungesës së lëvizjeve që ia kanë pamundësuar emigrantëve që të lëvizin, pasi që dihet që Kosova nuk është një vend destinacioni sa i përket azilkërkueseve, Kosova është vend transit pra vetëm kalojnë nëpër Kosovë.
Numri i personave të cilët kanë kërkuar azil në Republikën e Kosovës për vitin 2021 është diku rreth 570 persona nuk është një numër i madh krahasim me vitin e kaluar kur kishim një numër rreth 1500 persona këtu përfshirë edhe personat që kanë kërkuar mbrojtjen ndërkombëtare apo janë ndaluar nga Policia e Kosovës si emigrantë ilegalë kemi një numër të përafërt me ata të cilët kanë kërkuar azil”, tha Neziri.
Gjatë periudhës janar-dhjetor 2021 në Divizionin e Shtetësisë janë marr 5031 vendime për lirim nga shtetësia: 4940 vendime pozitive dhe 91 vendime negative.