Arrestohet edhe personi i dytë në Prizren për mashtrim me “viza pune” për Gjermani dhe Kroaci

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm në një komunikatë për media ka njoftuar se, nga muaji qershor i vitit 2021 ka qenë duke hetuar një rast të mashtrimit nga një agjenci punësimi e krijuar kinse për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me viza pune për në shtetin Kroat dhe Gjerman.

Më datë 19.01.2022 njëri nga të pandehurit, i kërkuar me urdhërarrest është arrestuar dhe në bazë të deklaratës së tij është arrestuar edhe personi i dytë si bashkëkryerës në kryerjen e veprës penale “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Prokuroria, ka lëshuar aktvendim për ndalim 48 orësh për dy të pandehurit, si dhe ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtëve.

Këta të pandehur dyshohen se me dashje dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten, i mashtrojnë personat tjerë dhe me këtë i nxisin të dëmtuarit që të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që të pandehurit me qëllim të përfitimit pasuror më datë 22.10.2020 krijojnë biznesin “Timi & Zaimi”, si agjenci punësimi, kinse për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me viza pune për në Kroaci dhe Gjermani, nga të cilët kërkojnë plotësimin e dokumentacionit dhe si kundërvlerë paraprake marrin parapagime nga të dëmtuarit në shuma të ndryshme të të hollave.

Deri në këtë fazë, prokuroria ka arritur të sigurojë disa prej të dëmtuarve të këtij rasti, mirëpo duke pas parasysh provat e grumbulluara deri në këtë fazë, rezulton se numri i të dëmtuarve është tejet i madh, andaj Prokuroria bënë thirrje tek të gjithë qytetarët që janë pre e këtij mashtrimi që të lajmërohen në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.

Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin, thuhet në njoftim nga Prokuroria e Prizrenit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *