Arrestohet një 19-vjeçar në Prizren, kapet me marihuanë e thikë
Konsumimi i drogës është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar kështu shëndetin e tyre. Një rast i tillë është zbuluar edhe mbrëmë në mesnatë, ku gjatë patrullimit në një pikë kontrolli në rrugën “Tahir Sinani” në Prizren, Policia ka ndaluar një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Gjatë kontrollimit të veturës, ku ishin disa persona, te njëri prej tyre zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar nga i riu disa qese me marihuanë, mulli për bluarjen e substancës narkotike, thikë e para të gatshme.
Për shkak të posedimit të drogës dhe mjeteve tjera, i dyshuari është arrestuar në flagrancë dhe është shoqëruar në stacionin policor në Prizren, ku është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën për të cilën ngarkohet.
Burimet kanë bërë të ditur se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e 19-vjeçarit për 48 orë dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor së bashku me sendet e sekuestruara me rastin e kontrollit policor.