Dallaveret në kurriz të skamnorëve – si u avulluan 13 mijë euro material ndërtimor në Prizren

37 shtëpi për skamnorët ishin planifikuar të ndërtohen në fundin e muajit nëntor në komunën e Prizrenit. Disa nga to u ndërtuan, e të tjerat jo. Kjo pasi 3 familjeve nuk iu dërgua materiali ndërtimor për t’i ndërtuar këto shtëpi. Madje, pavarësisht se komuna e Prizrenit kishte paguar tenderin, materiali ndërtimor këtyre familjeve nuk iu shkoi kurrë. Për këtë, po akuzohen pesë persona, katër zyrtarë komunalë, dhe pronari i një kompanie.

Gjithçka kishte nisur nga gjetjet e Auditorit në Prizren, ku u dyshua se buxheti i komunës së Prizrenit ishte dëmtuar për 13 mijë euro. Materiali ndërtimor për ndërtimin e disa shtëpive për skamnorë nuk u dërgua kurrë, pavarësisht se faturat u paguan e u nënshkruan. Pikërisht për këtë çështje, gazeta Nacionale kishte raportuar një muaj më parë.

Për këtë çështje, u arrestuan katër zyrtarë komunalë e pronari i një kompanie. Të katër zyrtarët, janë pjesë e Zyrës për Komunitete dhe Kthim në komunën e Prizrenit. Ata bashkë me pronarin e kompanisë, po dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare e falsifikim të dokumentacioneve. Për të gjithë, Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar 30 ditë paraburgim.

Gazeta Nacionale ka mësuar se të dyshuarit për dallavere me materialin ndërtimor të skamnorëve janë: Cengiz Curciali, ish koordinator në Zyrën për Komunitete dhe Kthim. Arsim Imeri, zyrtar për Integrimin dhe të drejtat e komuniteteve në Prizren, Raim Xhaferi gjithashtu zyrtar për integrim, dhe Shaban Ademaj, drejtor i Ndërmarrjes “B-Ademaj” SH.P.K. Kurse, I.R e arrestuar gjithashtu, është menaxhere e zyrës për Komunitete dhe Kthim.

Dyshimet për korrupsion me skamnorët

Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar nga 30 ditë paraburgim, për të gjithë të akuzuarit. Kërkesën e ka mbështetur në faktet që posedon në lidhje me përfshirjen e pesë të arrestuarve në kryerjen e veprave penale.

Gjykata e Prizrenit ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për pesë të dyshuarit.

“Me lënien në liri të të pandehurve, ekziston rreziku i dëmtimit të provave, apo edhe ndikimi në dëshmitarë, me çka do të dëmtonin rrjedhën e procedurës penale, andaj Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyrën dhe rrethanat që dyshohen se janë kryer veprat penale, dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale nëse ndaj të pandehurve do të caktohej ndonjë masë alternative, andaj Gjykata vendosi për caktimin e paraburgimit, për shkak të mbarëvajtjes së procedurës së rregullt të procedurës penale – hetimore”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prizrenit.

Zyrtarët për Komunitete dhe Kthim bashkë me pronarin e kompanisë, dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e Prizrenit për mbi 13 mijë euro. Kjo pasi materialin ndërtimor të dedikuar për skamnorët, nuk ua kishin dorëzuar këtyre të fundit.

“Përfituesve për furnizim me material ndërtimor-të dëmtuarve B.R., A.K., L.U., etj, nuk ua dorëzojnë në tërësi materialin ndërtimor ashtu siç ka qenë e paraparë në bazë të tenderit, me ç’rast buxhetit të Komunës së Prizrenit i është shkaktuar dëm material në shumë prej 13,283.00 Euro. Me këto veprime, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Madje, të dyshuarit sipas Prokurorisë, kanë falsifikuar dokumente duke nënshkruar në fatura mbi emrin e personave përfitues, edhe pse të njëjtëve asnjëherë nuk iu ishte ofruar materiali ndërtimor.

“Po ashtu, të njëjtit si persona zyrtar në dokumentin zyrtar shënojnë të dhëna të rreme ose nuk i shënojnë të dhënat e duhura, apo me nënshkrimin e tyre ose me vulën zyrtare vërtetojnë dokumentin zyrtar, regjistrin apo shkresën zyrtare e cila përmban të dhëna të rreme, në atë mënyrë që në periudhën kohore të lartëcekur, me rastin e dorëzimit të materialit ndërtimor për përfituesit B.D., A.K., B.R., dhe L.U., nënshkruajnë në emër të tyre, edhe pse në fakt përfituesit nuk e kanë pranuar në tërësi ose fare materialin ndërtimor. Me këto veprime, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Falsifikimi i dokumentit zyrtar sipas KPRK-së”, bëhet e ditur në komunikatën e Prokurorisë.

Këto vepra penale, dyshohet se janë kryer nga nëntori i vitit 2021 deri në korrik të vitit 2022.

Si nisën hetimet?
Gazeta Nacionale muajin e kaluar kishte raportuar për dallaveret në lidhje me avullimin e materialit ndërtimor, për skamnorët në komunën e Prizrenit.

Prokuroria e Prizrenit kishte nisur hetimet mbi gjetjet e Auditorit në Prizren. Në raportin për vitin 2021, ishin evidentuar dyshimet për dallavere me të cilat buxheti ishte dëmtuar mbi 13 mijë euro.

“Për kontratën “Furnizimi me material ndërtimor për familjet skamnore dhe rasteve sociale”, për 37 përfitues, më datë 16.12.2021 është kryer pagesa në shumën 98,235€, për të cilën komisioni për pranimin e materialit, më datë 10.12.2021, ka konstatuar se materiali është pranuar si në sasi ashtu edhe në cilësi. Dokumenti i pranimit ishte nënshkruar edhe nga mbikëqyrësi kryesor. Sipas ekzaminimit (për shtatë përfitues), kemi vërejtur se në dy raste, materiali ndërtimor nuk ishte dërguar tek përfituesit edhe pse ekziston fletëdërgesa në emër të tyre. Vlera e materialit të paguar dhe pa pranuar të rasteve të ekzaminuara është 10,783€”, thuhej në raportin e Zyrës Kombëtare te Auditimit.

Komisioni që ishte verifikues, kishte dhënë një arsyetim pse një gjë e tillë ka ndodhur.

“Sipas komisionit të pranimit të mallit është nënshkruar raporti për pranim pa verifikuar paraprakisht duke konsideruar se fatura duhet të paguhet me qëllim që mjetet të mos shkojnë si suficit”, thuhet në raport.

Në anën tjetër, komuna e Prizrenit nuk ka pranuar të jap sqarime me arsyetimin se zyrtarët në fjalë kanë qenë zyrtarë civilë, e jo staf politik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *