“Dil jashtë, mos rri këtu”, paraburgim për prizrenasin që deshi ta dëbojë nënën nga shtëpia
Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit për një person që e kapu për krahu nënën e tij dhe deshi ta dëbojë nga shtëpia.
Sipas njoftimit i dyshuari pas një mosmarrëveshje me nënën e tij, e kishte kapur për krahu atë, e kishte shtrënguar dhe i kishte thënë që të dal nga shtëpia.
“- Me datë 5 qershor, në Prizren, saktësisht në shtëpinë e përbashkët familjare, me dashje kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik dhe psikologjik apo emocional, me qëllim të cenimit të dinjitetit të të dëmtuarës – nënës së tij, në atë mënyrë që pas disa mosmarrëveshjeve paraprake, i pandehuri T.K., fillimisht e ofendon nënën e tij dhe pastaj i drejtohet me fjalët “dil jashtë, mos rri këtu,” më pas e kap për krahu dhe e shtrëngon me forcë me qëllim për ta dëbuar jashtë shtëpisë , me të cilat veprime tek e dëmtuar ka shkaktuar shqetësim”, thuhet në njoftim.
Postimi i plotë:
Prizren, 10 qershor 2021 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtari i procedurës – Fidan Hoxha, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 08.06.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 07.07.2021, ndaj të pandehurit T.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer dy vepra penale të: dhunës në familje nga neni 248 par. 1 të Kodit Penal të Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit T.K., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
– Me datë 5 qershor, në Prizren, saktësisht në shtëpinë e përbashkët familjare, me dashje kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik dhe psikologjik apo emocional, me qëllim të cenimit të dinjitetit të të dëmtuarës – nënës së tij, në atë mënyrë që pas disa mosmarrëveshjeve paraprake, i pandehuri T.K., fillimisht e ofendon nënën e tij dhe pastaj i drejtohet me fjalët “dil jashtë, mos rri këtu,” më pas e kap për krahu dhe e shtrëngon me forcë me qëllim për ta dëbuar jashtë shtëpisë , me të cilat veprime tek e dëmtuar ka shkaktuar shqetësim.
– Kurse me datë 07 qershor, pas disa mosmarrëveshjeve paraprake lidhur me jetën e tyre të përbashkët në familje,, i pandehuri në gjendje të dehur e keqtrajton emocionalisht nënën e tij, me fjalët “ po du vetë me jetu, kam me ju mbytë krejtve, ti shko në polici me më lajmërua, por unë kur të dal kam me ju mbytë krejtve”, ndërsa ndërmerr veprimin që ta keqtrajtoj fizikisht të dëmtuarën e cila ik në dhomën e saj, me të cilat veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar shqetësim.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Gjyqtari i procedurës, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, duke marrë parasysh se i pandehuri ka ushtruar dhunë brenda familjes së tij ndaj viktimës së ndjeshme – nënës së tij, dhe nga sjellja e mëparshme e të pandehurit i cili është i regjistruar edhe si kryerës i shumë veprave penale të kësaj natyre.
Andaj, nga të lartë cekurat, Gjykata ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprave tjera penale.