Dogana e Kosovës kap 145 kg duhan të papërpunuar në Vërmicë, po kontrabandohej nga Shqipëria
Doganierët kanë zbuluar një tentim të kontrabandës me duhan, gjatë një kontrolli rutinor në një automjet me targa të Shqipërisë në pikëkalimin kufitar në Vërmicë.
Dogana njoftoi se gjetën 145 kg duhan të përpunuar, të ndarë në 290 paketa.
“Gjatë kontrolleve rutinore zyrtarët e Doganës kanë ndaluar dhe për kontroll rutinor një automjet me targa të Republikës së Shqipërise, pas pyetjes së zyrtarit doganor në lidhje me deklarimin e mundshëm, drejtuesi I automjetit është përgjigjur negativisht. Më pas, ai është selektuar për një kontrol më të thelluar nën asistimin e Policisë së Kosovës. Kontrolli ka zbuluar mall të padeklaruar, respektivisht duhan i papërpunuar me një peshë prej 145.00 Kg, i ndarë në 290 paketa, çdo paketë me peshë 0.50 Kg. Si rezultat, është konstatuar kundërvajtje Doganore për shkelje të nenit 250 të KDAK-ës”, njoftoi Dogana e Kosovës.
Mallrat janë konfiskuar derisa procedura kundërvajtëse ka filluar për personin përgjegjës.
“Dogana e Kosovës ka aplikacionin eDogana për pajisjet e mençura android dhe ios, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi”, thuhet në njoftim.