E rrahu gruan dhe e quajti ‘kurvë e lapericë’, 30 ditë paraburgim ndaj prizernasit

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj A.Q për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer dy vepra penale ‘Sulmi’.

Masa e paraburgimit do të llogaritet prej kohës së arrestimit 25.03.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 25.04.2021.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit A.Q., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

– I pandehuri A.Q., me datë 25 mars në orët e mbrëmjes, në shtëpinë e tyre të përbashkët, sistematikisht ushtron dhunë fizike dhe psikike ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, në atë mënyrë që deri sa e dëmtuara ishte duke qëndruar në shtëpi, i pandehuri nën ndikim të alkoolit, në gjendje të dehjes totale me 1.30 promil-sasi alkooli në gjak, fillimisht i drejtohet të dëmtuarës me fjalë ofenduese si “laperic, kurvë” dhe në një moment, ngrihet në këmbë dhe fillon ta sulmoj fizikisht të njëjtën derisa ndërhynë për t’i ndarë vëllain i tij, me të cilat veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar ndjenjën e ankthit dhe pasigurisë personale.

Po ashtu, i njëjti me datë, kohë dhe vend të njëjtë, me dashje përdor forcë ndaj të dëmtuarit – vëllait të tij në atë mënyrë që deri sa i pandehuri ishte duke e sulmuar bashkëshorten e tij, i dëmtuari – vëllai i tij ndërhyn me qëllim që ta largoj te dëmtuarën nga sulmi, ku me atë rast i pandehuri fizikisht e sulmon edhe atë duke e goditur me grushte, me të cilat veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e pasigurisë personale.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjyqtari i procedurës vlerëson se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, duke pas parasysh karakterin dhe personalitetin e të pandehurit, i cili rezulton se është konsumues i alkoolit, shton dyshimin e bazuar që i njëjti mund të arratiset dhe të jetë i pa kapshëm.

Po ashtu duke marrë parasysh faktet se i pandehuri është konsumues i alkoolit dhe sipas deklaratës së të dëmtuarës, i njëjti edhe më parë ka ushtruar dhunë fizike e psikike ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së tij duke e fyer dhe sulmuar fizikisht, arsyetojnë faktin se i njëjti duhet të dërgohet nën masën e paraburgimit.

Andaj, duke marrë parasysh të lartë cekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret të njëjtat janë të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt dhe normal të procedurës penale, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, ambientin në familje ku është kryer vepra penale, sipas mendimit të gjykatës caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.

Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *