Garat ilegale në Kosovë: Gjatë muajit janar Policia shqiptoi 21 tiketa për pjesëmarrësit

Vetëm gjatë muajit janar të këtij viti, Policia e Kosovës ka shqiptuar 21 tiketa për pjesëmarrësit në gara ilegale. 166 ishte numri i tyre gjatë vitit të kaluar. Hiç më larg se dje është arrestuar një person, i cili ishte duke bërë gara shpejtësie me një person tjetër, i cili është në kërkim policor. Ende është i freskët rasti i fundvitit 2023, ku tre persona mbetën të vdekur pasi u goditën nga një veturë që po garonte me një tjetër.

Policia e Kosovës gjatë vitit 2023 ka shqiptuar 166 tiketa për pjesëmarrësit në gara të shpejtësisë dhe ka konfiskuar 12 automjete. Ndërkaq vetëm gjatë muajit janar të këtij viti janë shqiptuar 21 tiketa për pjesëmarrësit në gara ilegale.

Kështu thuhet në një përgjigje të Policisë për Gazetën Express.

“Policia e Kosovës në kuadër të Planit Operativë “Parandalimi i garave të shpejtësisë me automjete”, gjatë vitit 2023 ka shqiptuar 166 tiketa për pjesëmarrësit në këto gara ilegale si dhe ka konfiskuar 12 automjete, ndërsa gjatë muajit janar 2024 janë shqiptuar 21 tiketa për pjesëmarrësit në gara ilegale.”

Dje është arrestuar një person, pasi dyshohet se e ka aksidentuar një veturë derisa ishte duke bërë gara me një automjet tjetër. Si pasojë e aksidentit, lëndime ka marrë shoferi i veturës.

I dyshuari tjetër, me të cilin ka qenë duke garuar 20-vjeçari, është në kërkim policor.

“Drejtoria rajonale e Policisë në Prizren me datën 06.02.2024 gjatë hetimit të një rasti aksident trafiku me lëndime i ndodhur 05.02.2024 rreth orës 20:40 në lagjen ‘’Dardania’’ në Prizren, përmes rrugëve operacinale ka gjetur prova të qëndrueshme se i dyshuari i cili ka shkaktuar këtë aksident trafiku përpos dëmeve materiale lëndime trupore kishte pësuar vozitësi i automjetit, i cili para shkaktimit të aksidentit të trafikut dyshohet se kishte qenë duke bërë gara shpejtësie me një automjet tjetër i cili është në kërkim policor. I dyshuari E.K. viti i lindjes 2004 pas identifikimit është arrestuar dhe intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me urdhër të Prokurorit të shtetit i dyshuari ndalët në mbajtje për 48 orë dhe ndaj ti do të ngritët kallëzim penal për veprat penale ‘’Aksident trafiku me lëndime’’, ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’ dhe ‘’Rrezikim i trafikut publik’’”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, në mbrëmjen e 16 dhjetorit 2023, si pasojë e një gare ilegale kishin mbetur të vdekur tre persona. Ata ishin duke e përcjellur një garë ilegale mes dy veturave. Për rastin janë arrestuar dy persona.

“AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET- Autostrada-Ibrahim Rugova, (km-15) 16.12.2023-22:45. Gjatë ngasjes në autostradë i dyshuari kosovar dyshohet se ka humbur kontrollin mbi veturën dhe për pasojë ka goditur tre persona meshkuj kosovar-këmbësorë. Si pasojë, tre personat e goditur kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i rastit dhe me vendimin e tij (tre) trupat e pajetë pasi është konstatuar vdekja e tyre nga ekipi mjekësor, janë dërguar në IML për obduksion. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. Hetimet lidhur me këtë aksident janë duke u kryer nga njësitet relevante policore.”

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, disa ditë pas aksidentit kishte thënë se të dyshuarit e kishin bërë të njëjtën gjë edhe më herët.

“Policia e Kosovës, të njëjtit grup ia kishte parandaluar dy herë organizimin e garave të tilla. Siç tashmë është bërë publike në media, të njëjtit kanë pasur gjoba të njëpasnjëshme nga Policia e Kosovës për tejkalim shpejtësie dhe rrezikim në komunikacion, ndërsa njërit prej tyre i është konfiskuar patent-shoferi për tejkalim shpejtësie dhe filmim e publikim të këtyre garave”, tha Sveçla.

Në mesin e masave të ndërmarra për parandalimin e përsëritjeve të këtyre aksidenteve, Sveçla tha se “zyrtarët e trafikut janë pajisur me kamera trupore” dhe se janë futur në funksion “vetura me pajisje inteligjente për evidentimin elektronik të shkeljeve në komunikacion”.

Pas arrestimit, dy të arrestuarve u ishte caktuar masa e paraburgimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *