GURI PËRSËRI NË ROLIN KRYESOR

(Salajdin Krasniqi: “Shtegu i vargut tim”, poezi)

Shkruan: Skënder Zogaj

Janë plot gjashtë dekada që vargjet e poetit Salajdin Krasniqi defilojnë nëpër revistat dhe gazetat letrare shqipe brenda dhe jashtë Kosovës. Nga ky opus, deri më tani, me krijimet e zgjedhura janë sajuar dhe e kanë parë dritën e botimit gjashtë libra poetikë, që janë mirëpritur nga lexuesit dhe kritika letrare, që këtë poet me të drejtë e shquajnë si njërin nga më të mirët e qarkut letrar të Prizrenit.

Kjo nuk është përshtypje efemere, por është vlerësim i kompetencës profesionale që, poezinë e Salajdin Krasniqit e ka të vendosur në fondin e krijimeve të mirëfillta të poetikës shqipe dhe autorit ia ka dhënë me konsideratë epitetin poet.

Këtë vlerësim autori e dëshmon edhe me librin më të ri – “Shtegu i vargut tim”, i gjashti me radhë që valorizon imazhin e individualitetit krijues dhe shpirtëror të Salajdin Krasniqit, profili poetik i të cilit është specifik dhe padyshim më karakteristiku sa i përket ndërlidhjes me vendlindjen, që ky e ka opsesion shpirtëror!

Salajdin Krasqiqin e shquan aventura e angazhuar për zbërthimin e cepit të gjashtë të Yllit të Davidit, të skalitur në gurin autokton të nënqiellit të Prizrenit. Ky është lajtmotivi kyç, i përhershëm dhe dominues, në gjithë krijimtarinë letrare, që vjen e kurorëzohet edhe në këtë vepër.

*

Libri “Shtegu i vargut tim” hapet me poezinë “Drita e trëndafilave”, ku autori e nis udhëtimin “Aty ku dheu ka erë, ku uji ka shije/ Ku zjarri djeg nostalgjinë e gurit…” Guri është simboli emblematik rreth të cilit mjeshtërojnë njerëzit duke u përpjekur që t’ia hetojnë heshtjen dhe t’ia zbërthejnë etjen, ndërsa poeti e dëshiron “vargun e fortë si guri i Pikëllimës” që “S’ka trishtim nga dielli/ As nga gjuha e shkapërderdhur” (Asnjë fjalë).

Aventurën e udhëtimit poetik poeti e fillon nga “E vogla shtëpia ime sa e madhe më dukesh/ Në ty kujtesa nuk plaket kurrë/ Hyj brenda pa trokitur kur e si dua unë/ Edhe kur fle ti ma përkëdhel ballin…” (Rrugëtim poeti).

Këtë shtegtim e karakterizon natyrshmëria thellësisht njerëzore e poetit, qëllimi fisnik i të cilit është i bazuar në vetëflijimin personal, të llojit asketian, që autori e ka të fiksuar në mbamendje si normë etike dhe estetike për realizimin misionin krijues, që e deklaron “Zemra ime është gur i grirë\ Ndërsa heshtja e palosur\ Mbi fatin tim të bardhë” (Mbamendja). Mirëpo, poeti vetëdijshëm e bën zëmrën gur të grirë, në mënyrë që me dhembjen e tij ta artikulojë të vërtetën “në të njëjtën orë me diellin”, për ta deklaruar moshën historike:

“Jam më i vjetri këtu

Më i vjetër se rrapi

Më i vjetër se ulliri

Më i vjetër se kjo kullë”

Poeti Salajdin Krasniqi nuk është militant patetik, britmash e thirrjesh me gjoksin gropë nga grushtimet lëvduese, as adhurues i maskave me shqiponja. Jo, Krasniqi me thjeshtësi ekselente shpreh adhurimin e sinqertë për njerëzit e zakonshëm dhe botës që e rrethon, për njerëzit e mirë të veprave të mira, për gjërat e bukura të sjelljes dhe kontributeve obligative të përditshme, të rëndomta por jetike, sepse, është i vetëdijshëm se mrekullia e jetës është afshi i frymës së shpirtit, tisi i buzëqeshjes, pika e lotit, vegimi i dritës, dashuria dhe urrejtja, ëndrrat dhe shpresat…, të cilave Salajdin Krasniqi në këtë përmbledhje u shërben me pasion të thellë dhe me dëshirën e zjarrtë, që fjala e tij të jetë në funksion të njohjes së të padukshmes së jetës. Ja si e sqaron poeti angazhim e tij krijues:

“Po i nxjerr vargjet nga errësira

Për ta ushqyer idenë e heshtjes së fluturimit

Dhe degëzimin e rrugicave të verbëta

Unë gjithmonë kthehem tek ti vargu im

I kujtoj shëtitjet me letrat nën sqetull

Në ditët me diell dhe netët me shi

Me shokë duke pirë kafen e psherëtimave

Për poetikën e mendimeve të lira

Duke çelur nëpër këngë bilbilash”

                                              (Poezia ime)

Siç shihet nga kjo poezi, idetë e heshtjes autori i nxjerr nga errësira dhe ua jep dritën e shpirtit të tij, duke u mishëruar me realitetin e jetës, që e transponon në art me sinqeritet e me respekt të thellë ndaj të dinjitetit të personazheve lirike, siç janë: Bujku me kallo në pëllëmbët e duarve të zjarrta; aktori, sharrëxhinjtë, babai, nëna, vendlindja, gurgullima e lotëve, uji, lulet, buka, shpresa, agu dhe terri, vistri magjik i sekreteve të gurit, që përbëjnë gurrën e frymëzimeve të pashtershme.

Krasniqi është poet i kundrimeve plot imagjinatë dhe i meditimeve filozofike, që shprehen me mjete të shumta figurative, ku metafora është njëra nga më të shumëpërdorurat. Por, vargjet e këtij libri i shquan edhe përmbajtja e pasur dhe e angazhuar për mesazhe sa më të mira e sa më të bukura poetike!

Një nga motivet më interesante të qasjes artistike në këtë libër është guri, për autori thotë “e kam shok”, sepse “Guri kudo që është ka mëshirë \ Ai frymon \ Ai flet edhe kur hesht” dhe se “Rrënjë nuk ka por peshon rëndë në vend të vet”, sepse guri nuk i ndryshon kodet prandaj, autori me konsideratat më të larta i qaset vërtetësisë së gurit duke u identifikuar me peshën e gurit dhe gjithë variantet karakteristike përbërëse dhe funksionin e tij në raport me botën njerëzore. Poeti gurin e quan statujë të fortë, në prehrin e të cilit qëndron i ngrohtë atdheu!

Këto dhe vlera të tjera artistike e letrare, filozofike, kulturore e edukative, janë të hetueshme në gjithë vëllimin “Shtegu i vargut tim”, që e krijon rrethin e gjashtë të observimeve artistike të Salajdin Krasniqit, përvoja e të cilit në këtë libër zgjerohet e sintetizohet artistikisht dhe e bën këtë libër të dobishëm për të gjitha kategoritë e lexuesve.

Por, veçantia krijuese mund të mos jetë shumë e favorshme për poetët e rinj, amatorët entuziastë, që mund të hasin vështirësi në zbërthimin e simboleve, sepse konsumimi i variacioneve të ndryshme në këtë libër është kompleks dhe heterogjen, ngase, e njëjta figurë stilistike nuk e ka të njëjtin kuptim, as funksion, në njësitë e ndryshme poetike. Shumë nga shenjat madhështore e mohojnë madhështinë dhe ky është kodi poetik i artit të Salajdin Krasniqit, që e vlen të hetohet. Nëntor 2022             

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *