Haskuka reagon ndaj raportimeve se Komuna e Prizrenit kundërshtoi masat Anti-COVID të propozuara nga Vitia
Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka ka reaguar ndaj raportimit të një mediumi i cili sipas tij, ka raportuar se komuna që ai udhëheq ka dal kundër masave Anti-COVID të propozuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Haskuka ka thënë se në takim nuk ka pasur diçka për të votuar nëse janë kundër apo për.
“Nuk ka pasur diçka për të votuar që ne të jemi “kundër” apo “për”, prandaj lajmet nuk e pasqyrojnë të vërtetën, por agjendat e “gazetarëve”. Në takim, ministri Vitia na informoi për masat e mundshme, por ndër masat e diskutuara nuk ishte “mbyllja totale”, por masa selektive për t’i ndaluar burimet e infektimit”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social Facebook.
Shkrimi i tij i plotë:
Për çdo vikend nga një lajm të rremë për ne, e sulm ndaj Komunës, edhe sot tradita po vazhdon. Një burim i “KOHA”s paska raportuar që Komuna e Prizrenit paska dal kundër masave të Ministrisë së Shëndetësisë.
Unë isha në takimin e kryetarëve të komunave me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi dhe Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia . Takimi ishte informues për gjendjen e rëndë me pandeminë COVID-19.
Ministri na informoi që muajin e fundit kanë qenë mbi 28,000 raste të reja me COVID-19 dhe që gjendja në QKUK dhe spitalet e Kosovës është rënduar e që sistemi i shëndetësisë është i stërngarkuar.
Nuk ka pasur diçka për të votuar që ne të jemi “kundër” apo “për”, prandaj lajmet nuk e pasqyrojnë të vërtetën, por agjendat e “gazetarëve”.
Në takim, ministri Vitia na informoi për masat e mundshme, por ndër masat e diskutuara nuk ishte “mbyllja totale”, por masa selektive për t’i ndaluar burimet e infektimit.
Si kryetarë të komunave, ne informuam për gjendjen në komunat tona, problemet që i hasim dhe diskutuam masat që mund të ndërmerren, gjithmonë duke pasur parasysh edhe krizën ekonomike dhe gjendjen e rëndë të bizneseve.
Unë e informova ministrin që si komunë, ne jemi duke kryer mesatarisht mbi 400 teste rapide COVID-19 në ditë dhe se nga këto rreth 10% dalin pozitiv. Më këtë rast tregova edhe për analizat dhe shërbimet që i japim në Qendrat e Mjekësisë Familjare për të prekurit nga COVID-19, duke filluar nga analizat e gjakut e deri tek shërbimet e rëntgenit. Kërkova nga ministri që të kemi mbështetje në teste rapide, ngase duke bërë testime në masë mund të identifikojmë më shpejtë të infektuarit dhe të izolojmë virusin dhe përhapjen e tij.
Ne fund, të gjithë u dakorduam që masat e reja për parandalim duhet të kenë parasysh ekonominë dhe të jenë bashkë me paketën ekonomike për sektorët e prekur nga pandemia.
Me këtë rast apeloj tek qytetarët që të respektojmë masat për mbrojtje individuale nga pandemia:
Mbani maskën!
Mbani higjienën personale!
Mbani distancën fizike!
Shmangni tubimet!