Kishte ndërruar mbiemrin, kapet në Vërmicë pas 3 vitesh i dyshuari për një grabitje të armatosur

Pas gati tri vitesh në arrati, Policia e Kosovës ka prangosur sot, në pikën kufitare në Vërmicë të dyshuarin për grabitjen në tetor të vitit 2019 në një pompë të derivateve, në fshatin Polac të Skenderajt.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se O.N., është kapur në orët e mëngjesit, pas kontrollimit nga ana e policisë kufitare, i cili fillimisht kishte prezantuar një dokument identifikimi me një mbiemër tjetër. Por pas verifikimit të të dhënave nga ana e Policisë, rezultoi se i njëjti kërkohej me urdhër arrest aktiv të lëshuar nga Gjykata lidhur me grabitjen e armatosur në Skenderaj.

Sipas burimeve, njësitë policore janë vënë menjëherë në veprim dhe pasi kanë arritur në pikën kufitare, kanë marrë të dyshuarin, i cili është dërguar në stacionin policor në Mitrovicë.

Pas intervistimit, prokurori ka nxjerrë aktvendim për ndalimin prej 48 orësh, si i dyshuar për veprën penale “grabitja”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *