Krasniqi: Mbi 900 pacientë janë të hospitalizuar, qytetarët të ndihen të sigurtë në marrjen e vaksinës

Me ardhjen e 24 mijë vaksinave Anti-COVID nga COVAX në Kosovë, sot në Klinikën Infektive ka nisur vaksinimi i personelit shëndetësor.

Drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka deklaruar se sot është ditë e mbarë për Kosovën pasi vendi po i bashkëngjitet shteteve të tjera në luftën kundër Covid-19.

Ai ka thënë se vaksina është e sigurt dhe se çdo qytetarë duhet duhet të ndihet i sigurt për ta marrë atë.

“Deri më tani, bota ka pasur në përdorim vetëm metoda parandaluese ato që edhe ne i kemi përmendur dhe tani përmes vaksinimit po synohet që t’i jepet fund pandemisë. Unë kam një mesazh të qartë që virusi është ende prezent. Vaksina është e sigurt dhe çdo qytetarë duhet të ndihet i sigurt për ta marrë këtë vaksinë”, ka thënë ai.

Krasniqi ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë masat mbrojtëse. Ai ka thënë se jemi në një fazë të rëndë të pandemisë.

“Ju lutem respektoni masat. Jemi në një fazë të rëndë me virusin, sot kemi mbi 900 pacientë që janë të shtrirë. Duhet patjetër të respektohen masat”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se edhe pse punëtorët shëndetësor janë lodhur, ata nuk e kanë ndërmend të dorëzohen.

“Është e vërtetë që punëtorët shëndetësor janë të lodhur por nuk do të dorëzohen asnjëherë. Nuk dorëzohemi para këtij virusi megjithatë lusim qytetarët që të na ndihmojnë sado pak në respektimin e masave në mënyrë që t’ua bëjmë më të lehtë punën e punëtorëve shëndetësor”, ka shtuar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *