Kushtrim Çoçaj: Pse Mytës nuk po i bëjnë çare as thasët e parave të hedhura në fushatë?!
Gjatë këtyre ditëve të fushatës nga takimet në teren jam bindur se qytetarët tanë ‘nuk i hanë’ më ‘foret’ e populistave. Aq më pak të një populisti në tentativë si Myta.
Shkruan: Kushtrim Çoçaj
Ajo çfarë kam kuptuar nga kjo fushatë është se qytetarët tanë janë të gatshëm të të japin një mundësi, të provojnë, dhe po e panë që ti ke vetëm fjalë dhe jo vepra, harroje shansin e dytë. Dhe shembuj të ngjajshëm kemi sa të duash në të kaluarën. Kur LDK dhe Eqa filloi të tregohej arrogante e pensionoi para kohe. Njësoj ia bëri dhe PDK-së.
Mytë ti i ke ardhur në pushtet duke i premtuar qytetarëve se do të angazhohesh për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, pavarësimin e arsimit nga politika, të sportit, premtove se do ta luftoje korrupsionin…
E çfarë bëre?
Jo vetëm që nuk i ke mbajtur premtimet, por e ke kthyer qendrën historike në kaos ndërtimi, arsimin në zyrë punësimi për anëtarët e partisë, i le korrupsionin dhe krimin e organizuar të gëlojë në të gjitha drejtoritë.
Sot Mytë, ti dhe një grusht njerëzish që po të ndjekin nga pas, e keni shndërruar politikën nga mision për t’i shërbyer qytetarit, në treg në funksion të interesave personale.
Mytë, ti sot politikën e sheh vetëm si mjet për t’u pasuruar dhe jo si mision. Dhe kjo vërehet në mënyrën si i mbron dhe të mbrojnë bashkëpunëtorët e aferave të panumërta korruptive
Duke parë se i ka të gjithë kundër, këshillin, anëtarët, aktivistat, qytetarët… ka hedhur në fushatë thasët e parave të tenderave të kopsitura të klientëve partiak, për të motivuar të pakënaqurit, të anashkaluarit… duke tentuar kështu të deformojë vullnetin e lirë të qytetarëve me joshje, pasi e ka kuptuar se nuk ngjall më besim, por veç neveri.
Ai është në dijeni se maskat që fshihen pas tij kanë rënë dhe qytetarët i kanë kuptuar fytyrat e vërteta, prandaj i ka kapur paniku i humbjes.
Qytetarët e kanë kuptuar se Myta nuk përfaqëson asgjë dhe asnjë, përveç “sektin e intersexhinjëve” që janë pasuruar nga keqqeverisja e tij.
Ai tashmë e ka kuptuar se është duke luajtur aktin e fundit të serialit “CASA DE PAPEL” dhe prandaj ka futur në lojë paratë që kanë filluar të shpërndahen në media, te militantët dhe te qytetarët.
Por mesa duket as kjo nuk do ti bëjë çare.
“Shtëpija prej letre” që ka ngritur Myta nuk mbahet në këmbë edhe po ta rrethojë me paratë e gjithë botës.