Mund të vazhdojë izolimi, institucionet diskutojnë sot për kufizime të reja Anti-Covid
Masat që janë marrë gjatë vikendit nga institucionet e vendit, nuk do të jenë të vetmet për të luftuar COVID 19. Sot gjatë ditës është paralajmëruar se mund të ketë vendim për masa të reja, pasi që numri i të infektuarve ka shkuar duke u rritur.
Institucionet e vendit, të premten kanë dalë me masa të reja kufizuese të përhapjes së COVID 19.
Në javët kur Kosova po përballet me qindra të infektuar në ditë, e është rritur edhe numri i personave që kanë ndërruar jetë, institucionet kanë zgjedhur që gjatë vikendit të bëjnë një test të masave, ku është ndaluar veprimtaria e disa subjekteve afariste, bizneseve, qendrave tregtare dhe rekreative, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Ky vendim u zbatua prej orës 20:00, më 06/11/2020 (e Premte) deri më 09/11/2020 (e Hëne) në orën 05:00, derisa, për dy ditë në vend kanë funksionuar vetëm, Furraat e bukës, barnatoret, marketet e vogla, pompave të derivateve. Institucionet shëndetësore publike dhe private për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale. Për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhimin e COVID 19 (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal në sektorët e shëndetësisë, sigurisë dhe administratës shtetërore). Operatorët ekonomik dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e furnizimit.
Këto masa që kanë hyrë në fuqi vetëm gjatë vikendit, pritet që sot të zëvendësohen me masa të reja.
Një gjë e tillë do të ndodhë në takimin virtual që pritet të mbahet në ora 11:00 në mes të Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemajt dhe AKK-së.
Se do të ketë masa të reja e ka konfirmuar dje vetë Zemaj përmes një shkrimi në Facebook ku ka njoftuar se është takuar me kreun e Odës Ekonomike, Berat Rukiqin, kreun e Odës Amerikane, Arian Zekën, Petrit Kllokoqi kryetar i Shoqatës së Gastronomëve si dhe Hysen Sogojeva kryetarin e Odës Hoteliere të Kosovës.
“Secili nga ne ndjejmë përgjegjësinë për mbarëvajtjen e shëndetit publik dhe shëndetësisë, andaj është qenësore që të gjithë se bashku, nga aty ku veprojmë t’i zbatojmë rregullat për të parandaluar përhapjen e virusit sikurse dhe udhëzimet që dalin nga Manuali për Mbrojtje nga Përhapja e Covid19 Janë të arsyeshme shqetësimet e secilës kategori të shoqërisë sonë, por të gjithë së bashku duhet të mendojmë për shëndetin publik. Rekomandimet e marra gjatë takimit të sotëm, do t’i diskutoj me kryeministrin z.Hoti në mënyrë që masat e marra nga Qeveria të prekin sa më pak ata dhe të jenë sa më të lehta për të gjithë ne”, ka thënë Zemaj.