Në 23 vjetorin e ” EPOPESË SË UÇK-së”, u nderuan të rënët për Liri në Prizren

Me rastin e manifestimit tradicional të 23 vjetorit të “ Epopesë së UÇK-së”, të shtunën kanë vazhduar aktivitetet nga komuna e Prizrenit në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta, duke nderuar dëshmorët e komunës së Prizrenit, me ç’rast janë bërë homazhe në Landovicë dhe janë vendosur buqeta lulesh para shtatoreve të heronjve.

Familjarë të dëshmorëve, veteranë dhe invalid të luftës, qytetarë dhe pëfaqësues institucioneve të ndryshme, ishin të pranishëm të shtunën në Landovicë, për të bërë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së dëshmorëve me rastin e shënimit të 23-vjetorit të manifestimit tradicional “ Epopeja e UÇK-së”.

Sekretari i degës së OVL të UÇK-së, Isa Berisha, tha se këtë datë të shënuar po vazhdojmë ta kujtojmë duke nderuar të rënët për lirinë e Kosovës, dhe shprehu besimin se në përvjetorët e ardhshëm do të jenë të lirë edhe krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë, të cilët sipas tij ,do të dëshmojnë edhe një herë luftën e pastër të ushtrisë së lavdishme çlirimtare.

Në mungesë të kryetarit Mytaher Haskuka, i cili ndodhet në vetizolim për shkak të infektimit me Covid-19, në emër të komunës, ka folur drejtori i Administratës, Osman Hajdari, i cili në përvjetorin e 23-të të ” Epopesë së UÇK-së”, tha se lufta e saj ishte e drejtë, e pastër përplot sakrificë, e dëshmi për këtë është flijimi i komandantit legjendar, Adem Jashari, bashkë me familjen e tij.

Pas Landovicës, janë bërë homazhe edhe para shtatoreve të heronjve të kombit në Prizren, si dhe para shtatores së Gjergj Kastrioti- Skënderbeu./Televizioni i Prizrenit/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *